MPB ngre kallëzim penal ndaj kryetarit të Strugës. Reagon Mendi Qyra

Mpb ka njoftuar sot se ka ngritur Kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Strugës për siç thonë emërimin e ish-ushtruesit të detyrës, drejtor i N.P. “Ujësjellësi”.

“Më 18.11.2025, në cilësinë e kryetarit të komunës së Strugës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës drejtor i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” – Strugë, me të cilin e ka emëruar M.J. nga Struga edhe përkundër asaj se ishte në dijeni se nuk ka arsimim përkatës dhe certifikatë përkatëse për njohjen e gjuhës angleze dhe nuk ka plotësuar disa kushte të Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Duke vepruar kështu, ai i ka mundësuar që të realizojë përfitim monetar në bazë të pagës dhe kontributeve si drejtor i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” – Strugë”, thuhet në njoftimin e MPB.

Por ka reaguar menjëherë komuna e Strugës nga ku thonë se emërimi ka qenëni domosdoshëm për të shpëtuar ndërmarrjen nga kaosi.

“Kallëzimi penal ndaj Kryetarit të Komunës së Strugës duket më shumë si një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar zhurmë politike, sesa si një shqetësim real për ligjshmërinë.

Le të jemi të qartë: emërimi i Mexhait Jusufoski si ushtrues detyre është bërë në përputhje me ligjin, si një zgjidhje e brendshme dhe e menjëhershme, në një moment kur Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” ishte në prag kolapsi. Dikush duhej ta merrte timonin dhe ai e mori.
Po, ndoshta nuk ka certifikatë të gjuhës angleze… por ka bërë diçka që shumë “të certifikuar” nuk e bënë dot për vite: brenda tre muajve dyfishoi të hyrat e ndërmarrjes dhe stabilizoi situatën.

Sa për ta sqaruar opinionin publik, ky institucion ka më shumë se një muaj që funksionon me drejtor të ri, Z. Jovanco mecarkoski, dhe jo me ushtruesin e detyrës Z. Jusifoski.

Prandaj, para se të shpërndahen akuza, mirë do ishte të shikohen faktet. Sepse qytetarët nuk jetojnë me kallëzime, por me shërbime që funksionojnë.
Reformat nuk ndalen nga zhurma. Përkundrazi, vetëm sa e forcojnë vendosmërinë për të çuar përpara ndryshimet që Struga i ka pritur prej kohësh.

Kryetari mbetet i hapur për çdo institucion të drejtësisë por edhe i vendosur që të mos kthehet pas në kohën kur ndërmarrjet publike shërbenin për gjithçka, përveç qytetarëve”, thuhet në reagimin Komunës së Strugës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit