Mexhiti: Protesta studentore kërkon reflektim, ndërgjegjësim dhe bashkëveprim

Në një deklaratë të fuqishme publike, Izet Mexhiti ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po zbatohet politika gjuhësore në vend, duke e cilësuar atë si të papërfunduar dhe të pamjaftueshme për një vend multietnik.

Ai thekson se në shtetet me përbërje të larmishme etnike, përgjegjësia kryesore bie mbi liderët politikë dhe shoqërorë, që të krijojnë politika ligjore dhe institucionale të qëndrueshme, të cilat reflektojnë realitetin multietnik dhe promovojnë diversitetin në çdo sektor të shoqërisë.

Sipas Mexhitit, ligji aktual për përdorimin e gjuhëve është i pjesshëm dhe zgjidhjet e paplota sjellin pasoja të kufizuara, pa adresuar çështjen në thelb.

Ai konsideron se protesta studentore e paralajmëruar është një mundësi e rëndësishme për reflektim dhe ndërgjegjësim.

Protesta e nesërme nuk duhet të shihet si akt politik, por si një thirrje për të gjithë aktorët shoqërorë dhe politikë që të kontribuojnë në krijimin e zgjidhjeve më të mira ligjore dhe politikave afatgjata,” nënvizon ai.

Mexhiti kujton se protestat studentore historikisht kanë shërbyer si sinjal për problemet shoqërore, të cilat institucionet kanë detyrimin t’i trajtojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë të plotë.

Ai apelon që, në vend të retorikës politike, çështja e gjuhës të trajtohet me seriozitet dhe qasje gjithëpërfshirëse, për të garantuar barazi reale dhe funksionale për të gjithë qytetarët./Ora24.tv

Postimi i plotë

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit