Anëtari i Kryesisë Qendrore të Bashkimi Demokratik për Integrim, Bajram Rexhepi, deklaroi se partia do ta mbështesë protestën e paralajmëruar të studentëve për të kërkuar të drejtën e zhvillimit të mësimit praktik gjyqësor në gjuhën shqipe, por jo në nivel partiak.
Në emisionin n’Podium në Ora24.tv, Rexhepi theksoi se mbështetja do të jetë në mënyrë individuale dhe si prindër, duke shtuar se BDI nuk është organizatore e protestës.
Sipas tij, çdo individ duhet të vendosë vetë nëse do të marrë pjesë apo jo, pasi nuk ka organizim partiak. Ai theksoi se, megjithatë, kauza e studentëve është e drejtë dhe duhet të zgjidhet problemi i tyre.
“Ne, jo në nivel politik, por në nivel individual dhe si prindër do ta mbështesim këtë protestë. Secili duhet të vendosë vetë nëse do të marrë pjesë, sepse ne nuk e organizojmë dhe nuk kemi lidhje me organizimin, por e mbështesim kauzën,” deklaroi Rexhepi.
http://facebook.com/reel/1426779652026929/?s=single_unit
Ai shtoi se beson që shumë shqiptarë, veçanërisht prindër, do të jenë të pranishëm në protestë, ndërsa pjesëmarrja e figurave kryesore politike mbetet çështje individuale.
Rexhepi vlerësoi se ata që ndihen të prekur nga ky problem, i cili sipas tij ende nuk është zgjidhur, do ta mbështesin protestën e studentëve./Ora24.tv



