Tetovë, 2 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë në një aktivitet të organizuar në Shkolla Fillore Komunale “Naim Frashëri”, me rastin e Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin.
Gjatë këtij manifestimi, në shenjë mbështetjeje për nxënësit me autizëm, u shpërndanë çanta dhe materiale shkollore, si një hap simbolik për të inkurajuar përfshirjen dhe zhvillimin e tyre në procesin arsimor.
Kasami theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët me nevoja të veçanta dhe promovimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
“Do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që promovojnë barazinë, përfshirjen dhe respektin për çdo fëmijë, sepse çdo fëmijë meriton mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e tij,” u shpreh Kasami, transmeton zhurnal.
Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se mbështetja për kategoritë e ndjeshme dhe projektet sociale mbetet ndër prioritetet kryesore të tyre.



