Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, deklaroi se projekti i Korridorit 8 është i pakthyeshëm dhe do të realizohet patjetër në zonën e Strugës, duke hedhur poshtë zërat për ndryshim të traseve.
Në një prononcim për ALSAT TV, Qyra theksoi se qytetarët po përballen me dezinformata, ndërsa sipas tij, nuk ekziston asnjë mundësi që korridori të mos kalojë në afërsi të Strugës.
“Korridori 8 është një nga projektet më të rëndësishme për vendin dhe rajonin. Traseja mund të pësojë vetëm devijime të vogla për shkak të kërkesave të UNESCO, por jo të ndryshojë në thelb”, u shpreh ai.
Sipas Qyrës, aktualisht ekzistojnë dy variante për lidhjen e segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë, të cilat në të dyja rastet kalojnë pranë Strugës, duke respektuar standardet ndërkombëtare dhe kriteret mjedisore.
“Janë dy mundësi që traseja e Korridorit 8 nga Trebenishta të lidhet me Qafë Thanën, duke iu përshtatur kërkesave të UNESCO-s; të dyja kalojnë rreth Strugës. Nuk ka asnjë mundësi që Korridori 8 të mos kalojë rreth Strugës. Në takimin në Paris, ku ishin disa ministra të Qeverisë, pikë e parë e rendit të ditës ishte kjo trase për të cilën flasim. UNESCO-ja kërkon që traseja të përshtatet me kërkesat e saj, por në asnjë mënyrë nuk kërkon që të mos ndërtohet Korridori 8, për të cilin vazhdimisht flitet se nuk do të ndërtohet”, deklaroi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
Ai shtoi se mund të shtrohet pyetja për sa kohë do të zgjasë ndërtimi, por Korridori 8 dhe traseja Trebenishtë – Qafë Thanë, siç thekson Qyra, gjithsesi do të ndërtohen rreth Strugës. /Ora24.tv/



