Kryeprokurori Saveski priti në takim shefin e OSBE, ambasadorin Val

Në takimin e parë zyrtar pas emërimit të tij, prokurori publik Nenad Saveski dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Val, biseduan për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për Prokurorinë Publike, si dhe për nevojën e një buxheti të përshtatshëm për luftë efikase kundër korrupsionit, njoftojnë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për të gjitha mundësitë dhe drejtimet në të cilat kjo mbështetje duhet të vazhdojë në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet prokuroria në aspektin e burimeve dhe kornizës ligjore. Saveski dhe Val diskutuan gjithashtu për financimin dhe nevojën për një buxhet adekuat për luftë efikase kundër korrupsionit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Siç shtohet më tej, në takim është rënë dakord që së shpejti të caktohet një prokuror publik i ngarkuar për të ndjekur rastet e veprave penale të kryera nga urrejtja në të gjithë territorin e vendit, sipas modelit të pikës së kontaktit që tashmë funksionon në Prokurorinë Themelore Publike Shkup.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit