Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka bërë me dije masat dhe udhëzimet për tifozët për ndeshjen Danimarkë–Maqedoni, që zhvillohet më 26 mars 2026 në Kopenhagë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Sipas njoftimit, dyert e stadiumit do të hapen në ora 19:15. Tifozët maqedonas do të akomodohen në sektorin D1, ndërsa mbajtësit e biletave të kategorisë së parë do të qëndrojnë në sektorin A9. Hyrja në sektorët e tjerë nuk do të lejohet, ndërsa çdo tifoz duhet të ketë me vete letërnjoftim ose pasaportë.
Biletat nuk do të shiten ditën e ndeshjes, dhe nuk lejohet hyrja me ushqim, pije, kamera, mjete piroteknike apo objekte të tjera të rrezikshme. Flamujt dhe banderolat lejohen vetëm me dimensione maksimale 1m x 1.5m, ndërsa çdo tekst duhet të miratohet paraprakisht.
FFM ka vendosur edhe një adresë kontakti për tifozët që kanë nevojë për ndihmë ose informacione shtesë: [email protected].
Lista e futbollistëve të ftuar për këtë ndeshje u publikua më 16 mars. Fituesi i sfidës Danimarkë–Maqedoni do të përballet më 31 mars në finale me fituesin e ndeshjes Irlandë–Çeki, duke e bërë këtë një hap kyç drejt Botërorit 2026.



