Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të drejtoreshës së Regjistrit Qendror, pas publikimit të të dhënave që, sipas tyre, dëshmojnë për përjashtim të plotë të shqiptarëve nga avancimet e fundit në këtë institucion.
Në një deklaratë për media para zyrave të Regjistrit Qendror, përfaqësuesja e BDI-së, Imrane Veliu, theksoi se janë realizuar 40 avancime pa asnjë përfaqësim të shqiptarëve, duke e cilësuar këtë si një veprim të papranueshëm dhe me pasoja serioze për funksionimin institucional.
“Kjo nuk mund të trajtohet më si një devijim administrativ. Bëhet fjalë për një akt të shëmtuar që kërkon përgjegjësi të menjëhershme”, deklaroi Veliu.
Sipas saj, përjashtimi i një komuniteti të tërë nga proceset e avancimit në një institucion publik përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe tregon për vendimmarrje të njëanshme.
BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të drejtueses së institucionit, si akt minimal përgjegjësie, por njëkohësisht kërkon edhe përgjegjësi politike nga Qeveria.
“Në këtë rast përgjegjësi mban edhe Kryeministri, pasi kjo qasje po krijon perceptimin e një praktike të përsëritur që dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, theksoi Veliu.
Partia opozitare drejtoi kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri, duke i akuzuar për dështim në mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve.
“Ata kanë treguar se si nuk duhet të përfaqësohen qytetarët dhe për këtë arsye kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tyre”, thuhet në reagim.
BDI paralajmëron se praktika të tilla rrezikojnë kohezionin shoqëror dhe funksionimin e shtetit multietnik, ndërsa u bëri thirrje edhe faktorëve ndërkombëtarë që të ndjekin nga afër situatën.
Në veçanti, u kërkua reagim nga Misioni i OSBE-së në Shkup, për të aktivizuar mekanizmat e hershëm të paralajmërimit dhe reagimit në raste që prekin parimet e përfaqësimit të barabartë.
“Institucionet publike duhet të reflektojnë përbërjen e shoqërisë që u shërbejnë”, përfundoi Veliu.



