“Nga Dibra në Botë”, një libër përplot me emocione i intelektualit dibran në Amerikë, Shpend Koleci

“Nga Dibra në Botë” është një libër autor i të cilit është intelektuali dhe veprimtari i njohur dibran që me dekada jeton në Shtetet e Bashkauara të Amerikës, Shpend Koleci.

Në këtë libër, Koleci me shumë emocione dhe mjeshtëri krijuese sjell kujtime nga të gjitha ciklet jetësore, duke filluar nga fëmijëria e hershme e deri te emigrimi në SHBA.

Libri përmban fotografi të shumta familjare, që janë mjaft të hershme dhe në këtë kuptim paraqesin një thesar të vërtetë. Veçanërisht interesant është ilustrimi i ballinës së librit që paraqet Dibrën e vjetër që e ndan një lum nga Nju Jorku, shkruan Lideri.mk.

Brenda rreshtave të këtij libri, autori Shpend Koleci sjell storjen edhe për babain e tij, një ushtarak i shkolluar në Torino të Italisë, i cili ka shërbyer si ushtarak në ushtrinë e Mbretit Zog.

Në vazhdim ju sjellim përmbajtjen e librit:

PARATHËNIE

Ky libër është historia e jetës sime. Një rrugëtim nga Dibra ime e dashur deri në shumë vende të botës.

Është historia e dhimbjeve dhe sakrificave, por edhe e shpresës dhe dashurisë që kurrë nuk u shua.

Në këtë libër do të gjeni historinë e babait tim, një njeri me një jetë të jashtëzakonshme, sakrificat e familjes sonë, emigrimin, ndërtimin e një jete të re në vende të huaja dhe dashurinë e pakushtëzuar ndaj familjes.

Ky libër është një dëshmi për fëmijët e mi, nipërit dhe mbesat, për rrënjët dhe historinë e tyre, dhe mbi të gjitha, një mesazh.

Pas çdo dhimbjeje, gjithmonë lind shpresa.

KAPITULLI 1 – LINDJA DHE FËMIJËRIA

Unë linda më 30 gusht në Dibër të Maqedonisë, nga babai Sefedin dhe nëna Fatime. Isha fëmija i dytë në familje, pas motrës Lushe dhe para motrës së ndjerë Lilijana.

Fëmijëria ime ishte e thjeshtë, por e mbushur me dashuri, mësime dhe vlera. Babai, një njeri i fortë dhe i drejtë, më mësoi se arsimi dhe ndershmëria janë thesaret më të mëdha që mund të ketë njeriu.

KAPITULLI 2 – BABAI IM, HEROI IM DHE NENA BUJARE

Babai im, i lindur në fshatin Solokiq (ose Sollokiç, siç shfaqet shpesh në dokumente), një vendbanim shqiptar në komunën e Dibrës së Madhe (tani në Maqedoninë e Veriut), nga prindërit Liman dhe Lushe, ishte një njeri me një jetë plot kthesa dramatike, por gjithmonë i drejtë dhe me shpresë të pathyeshme.

Ai pati fatin të studiojë në Akademinë Ushtarake në Torino të Italisë, një nga qendrat më prestigjioze ushtarake të kohës, ku u formua si oficer profesionist. Pas kthimit, shërbeu si oficer besnik i Mbretit Zog, në ato vite kur Shqipëria po ndërtonte ushtrinë e vet kombëtare mes sfidave të mëdha gjeopolitike.

Me ardhjen e Luftës së Dytë Botërore, babai im zgjodhi rrugën e partizanëve, duke iu bashkuar luftës antifashiste për lirinë e atdheut. Pas çlirimit, në vend që të ndiqte karrierën ushtarake apo poste të larta, ai zgjodhi rrugën e arsimit – një zgjedhje që tregon qartë karakterin e tij.

Ai u bë mësues dhe hapi shkollën e parë shqipe në Solokiq, duke sjellë dritën e diturisë në një fshat fushor ku mësimi në gjuhën amtare ishte ende ëndërr për shumë breza. Ky akt i thjeshtë, por i guximshëm, ndryshoi jetën e dhjetëra fëmijëve dhe familjeve, duke mbjellë farën e identitetit kombëtar në një kohë kur regjimet e reja kishin prioritete të tjera.

Por historia e tij nuk ishte pa dhimbje të mëdha. Nga martesa e parë ai pati tre fëmijë, të cilët mbetën pas kufirit kur jeta e ktheu drejt një rruge tjetër. Në vitin 1951, për t’i shpëtuar pushkatimit nga regjimi komunist – si shumë intelektualë e ish-oficerë të kohës së Zogut – ai u detyrua të ikte nga Shqipëria. Arriti në Maqedoni, por atje e priti një fat tjetër i rëndë: dy vite burg, vuajtje që e shënuan thellë, por nuk e thyen.

Babai im vuante shpesh për fëmijët e humbur, për atë pjesë të jetës që mbeti pas kufirit, për ditët kur nuk mund t’i përqafonte apo t’u thoshte fjalët që çdo baba dëshiron t’u thotë bijve. Megjithatë, kurrë nuk e humbi besimin. Ai besonte fort se jeta e mirë ndërtohet me punë, nder dhe dije. Për të, arsimi nuk ishte thjesht një punë – ishte rruga e vetme e shpëtimit, drita që mund të ndryshonte fatin e njerëzve edhe në errësirën më të madhe.

Ai mbetet për mua simbol i qëndresës, i dashurisë së pathyeshme ndaj fëmijëve dhe i bindjes se, pavarësisht sa herë të të rrahë jeta, njeriu duhet të ngrihet e të vazhdojë – për të ardhmen, për gjuhën, për identitetin dhe për shpresën.

Të dua, baba. Dhe faleminderit që na more shembull se si të durosh, të dashurosh e të besosh, edhe kur gjithçka duket e humbur.

Nënë FATIME ( Lute)– një grua që mbante në shpinë dashurinë dhe përgjegjësinë e një familjeje të tërë.

Fatime ishte motra e katër vëllezërve: Shabanit, Qeramit, Haxhiut dhe Arifit. Vajza e Nuredinit dhe Lazes, ajo lindi dhe u rrit mes një shtëpie plot zëra burrash, por shpirti i saj mbeti gjithmonë i butë, i ngrohtë dhe bujar – siç dinin vetëm gratë e asaj kohe të jenë.

Që në fëmijëri, Fatime mësoi të ndante, të jepte pa pritur të marrë, të qetësonte me një buzëqeshje dhe të mbante barrë pa u ankuar. Bujaria e saj nuk ishte vetëm ushqim në tryezë apo fjalë të ëmbla – ishte koha, zemra dhe forca që ajo dha pa hesap.

Në moshën 45-vjeçare, jeta i vuri provën më të rëndë: mbeti e vetme si nënë për tre fëmijët e saj. Atëherë, ajo nuk u thye. Ajo mori frenat në duart e veta – jo me arrogancë, por me atë vendosmëri të heshtur që kanë gratë kur dinë se askush tjetër nuk do ta bëjë punën më mirë se ato.

U bë nëna, babai, strehën dhe shpatullën ku të tjerët mbështeteshin. Punoi ditë e net, qepi ëndrrat e fëmijëve të saj me dorë të palodhur, i mësoi të ecnin me kokë lart edhe kur toka dukej se u haphej poshtë këmbëve. Tre fëmijët e saj u rritën duke e ditur që, pavarësisht stuhive, Nënë Fatime ishte shkëmbi që nuk lëvizte.

Ajo nuk fliste shumë për sakrificat e veta – ato dukeshin në duart e ashpra, në sytë që kishin parë shumë, në buzëqeshjen që nuk mungonte kurrë përpara të tjerëve. Bujaria e saj vazhdonte të jepte, edhe kur vetë kishte pak: një copë bukë për fqinjin, një fjalë ngushëllimi për të pikëlluarin, një lutje shtesë për të gjithë.

Nënë Fatime mbetet shembull i gruas shqiptare që nuk pyet “pse unë?”, por thjesht thotë “le ta bëj unë”. Një nënë që nuk jetoi vetëm për vete, por për të gjithë ata që e donin dhe që ajo i donte më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

Qoftë kujtimi i saj i përhershëm, si drita e zjarrit që ajo mbante ndezur në vatër – i ngrohtë, i qëndrueshëm dhe që nuk shuhet kurrë.

KAPITULLI 3 – VUATJET DHE SAKRIFICAT

Pas burgut, babai u martua me nënën time, Fatime. Jeta nuk ishte e lehtë. Vuajtjet ndikuan në shëndetin e tij dhe ai pësoi paralizë.

Por babai nuk u dorëzua kurrë. Ai më mësoi se forca e një njeriu nuk matet me trupin, por me zemrën dhe shpirtin e tij.

KAPITULLI 4 – STUDIMET DHE RINIA

Në shkollë isha nxënës i shkëlqyer.

Pas mesmeve, u regjistrova në Fakultetin Filozofik, në degën Filozofi-Sociologji, ku diplomova në vitin 1982.

Pas studimeve punova si pedagog social në Qendrën Sociale të Dibrës, duke ndihmuar shumë familje dhe duke kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj të tjerëve.

KAPITULLI 5- FUTBOLLI PJESE E PASIONIT TIM

Që në rininë time të hershme, një nga pasionet më të mëdha që kisha ishte futbolli. Për mua, futbolli nuk ishte vetëm një lojë, por edhe një mënyrë për të ndërtuar karakterin, për të mësuar disiplinën dhe për të ndarë gëzime me shokët e skuadrës.

Hapat e parë në futboll i bëra me ekipin Kufitari, ku fillova të zhvillohem si lojtar dhe të kuptoj rëndësinë e punës në ekip. Ishin vite të bukura të rinisë, plot energji dhe ëndrra për të ecur përpara në sport.

Më vonë vazhdova të luaja për ekipin Betoni, ku fitova më shumë përvojë dhe u bëra një lojtar më i pjekur në fushë. Çdo ndeshje ishte një sfidë dhe një mundësi për të treguar dashurinë time për këtë sport.

Kulmi i karrierës sime sportive erdhi kur u bëra pjesë e klubit të qytetit, Klubit Futbollistik Korabi i Dibrës, me të cilin pata nderin të luaja në Ligën e Dytë të Maqedonisë. Të veshja fanellën e Korabit ishte një ndjenjë e veçantë, sepse përfaqësoja qytetin tim dhe tifozët që gjithmonë na mbështesnin me zemër.

Një nga kujtimet më të bukura dhe më të paharrueshme të jetës sime sportive është ndeshja historike e vitit 1991 midis Korabit të Dibrës dhe Korabit të Peshkopisë.

Kjo nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli. Ishte një ndeshje vëllazërie, një moment i veçantë që bashkoi shqiptarët nga të dy anët e kufirit pas shumë viteve ndarje.

Në stadium mbizotëronte një atmosferë e jashtëzakonshme. Shumë njerëz kishin ardhur nga larg për të parë këtë ndeshje historike. Disa prej tyre kishin marrë edhe bukë me vete, si në një festë të madhe popullore, për të kaluar gjithë ditën duke ndjekur këtë takim të veçantë.

Kur filloi ndeshja, emocionet ishin aq të mëdha sa lotët nuk munguan. Lot kishte si në fushë, ashtu edhe në tribunat e stadiumit. Ishte një moment që tregonte se futbolli mund të jetë më shumë se sport – mund të jetë simbol i bashkimit dhe i vëllazërisë.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 1 : 1, por rezultati nuk ishte gjëja më e rëndësishme atë ditë.

Për mua, një moment i paharrueshëm ishte kur shënova golin e parë të asaj ndeshjeje historike. Kur topi përfundoi në rrjetë, stadiumi shpërtheu në brohoritje dhe emocione.

Ajo ndeshje filloi me lot emocionesh dhe përfundoi përsëri me lot gëzimi, si nga lojtarët ashtu edhe nga publiku.

Edhe sot, kur e kujtoj atë ditë, ndjej të njëjtin emocion dhe krenari. Ishte një moment që tregoi se sporti ka fuqinë të bashkojë njerëzit dhe të krijojë kujtime që zgjasin gjithë jetën.

KAPITULLI 6 – EMIGRIMI NË SUEDI

Në vitin 1992, për shkak të rrethanave, u detyrova të largohem nga Dibra dhe të emigroj në Suedi.

Atje punova si mësues i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, së bashku me profesor Ibrahim Egriu hapëm rreth 80 shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Kjo ishte një periudhë e vështirë, por edhe e mrekullueshme, sepse kuptova se dashuria dhe punë e palodhur mund të ruajnë identitetin dhe gjuhën tonë.

KAPITULLI 7- RIBASHKIMI FAMILJAR

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1990, u takuam me vëllezërit dhe motrat nga martesa e parë e babait.

Ky takim ishte shumë emocional. Ata kishin kaluar vite të vështira në internime dhe burgime, dhe bashkimi i familjes ishte një moment magjik dhe i paharrueshëm.

KAPITULLI 12- NJE FILLIM I RI

Në vitin 2023 njoha Valbonën, një grua të jashtëzakonshme: e fortë, punëtore, e ndershme dhe me një zemër të madhe që prek çdo njeri që e njeh. Ajo kishte dy fëmijë të mrekullueshëm, Jonin dhe Dionin – djem të dashur, plot respekt dhe me një karakter të rrallë. Edhe pse janë rritur vetëm me nënën e tyre Valbonen, pa prezencën e babait natyral, ata kanë arritur të bëhen punëtorë të palodhshëm, të dashur me familjen dhe me të gjithë rreth tyre, plot respekt dhe mirënjohje për çdo gjë që kanë. Kjo tregon forcën e madhe të Valbones si nënë: me dashuri të pafund, shembull personal dhe sakrifica të heshtura, ajo i ka edukuar dhe i ka mbajtur drejt në rrugën e vlerave të forta familjare. Jon dhe Dion nuk janë vetëm fëmijë të mirë – ata janë dëshmi e gjallë se si me vullnet, përkushtim dhe edukim të drejtë mund të kapërcehen çdo vështirësi. Jam krenar për ta dhe për Valbonen që i ka rritur kaq bukur, duke i bërë pjesë të pandashme të jetës sime.

Shpejt pas takimit tonë të parë, ndjeva një lidhje të veçantë, një respekt të thellë dhe një dashuri që rritej çdo ditë. Valbona më tregoi se dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjesi e bukur, por edhe mbështetje e pathyeshme, përkujdesje e përditshme dhe besim i pakushtëzuar. Me të ndjeva përsëri atë gëzim të pastër dhe të thellë që vetëm zemra e di ta kuptojë – një paqe që mendja nuk e shpjegon dot.

Vendosëm të martohemi dhe të ndërtojmë një kapitull të ri në jetën tonë. Ky kapitull nuk është vetëm për ne dy, por edhe për familjet tona të bashkuara, për fëmijët tanë, për nipërit që do të rriten mes dashurie, respektit dhe vlerave të forta familjare. Tani jetojmë bashkë si një familje e plotë, ku çdo ditë është një mundësi për të krijuar kujtime të bukura, për të qeshur bashkë, për të ndarë ëndrrat dhe për të mbështetur njëri-tjetrin.

Jam më i lumtur se kurrë. Çdo moment pranë Valbones është një dhuratë e re e jetës: një buzëqeshje që më ngroh, një bisedë e gjatë që më qetëson, një përqafim që më bën të ndihem i plotë. Ajo më ka dhënë paqe, gëzim dhe besim të ri se jeta mund të fillojë përsëri, edhe pas humbjeve dhe sfidave më të mëdha që kam përjetuar.

Në zemrën time ekziston një falënderim i pafund: për Valbonën, për dashurinë e saj të madhe, për përkujdesjen e përditshme, për forcën që më jep çdo ditë dhe për çdo moment që ndajmë së bashku. Falënderim i veçantë edhe për Jonin dhe Dionin, që më kanë pritur me zemër të hapur dhe që tani i dua si bijtë e mi. Tani, më shumë se kurrë, e di se jeta ka dhimbjet e saj, por dashuria e vërtetë është gjithmonë më e fuqishme, më e qëndrueshme dhe më e bukur.

EPILOGU

Kur shikoj pas, shoh një rrugëtim nga Dibra në botë, plot dhimbje, sakrifica, por edhe momente të paharrueshme dhe të bukura.

Jeta më ka mësuar se pavarësisht humbjeve, pas çdo dhimbjeje lind shpresa.

Sot jam mirënjohës për familjen, fëmijët, nipërit dhe mbesat e mia, dhe për mundësinë për të ndërtuar gjithmonë një jetë të re, me dashuri dhe besim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit