Deputetja e VLEN-it, Valbona Adili Emini, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur nga deputeti Blerim Bexheti në drejtim të një deputeteje të këtij subjekti politik, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe në kundërshtim me etikën parlamentare.
Sipas saj, një komunikim i tillë nuk dëmton vetëm figurën personale të atij që e përdor, por cenon drejtpërdrejt edhe dinjitetin e institucionit që përfaqëson.
“Parlamenti nuk është arenë për fyerje apo sulme personale, e aq më pak ndaj grave deputete. Ai duhet të mbetet hapësirë e debatit të argumentuar, e respektit të ndërsjellë dhe e përfaqësimit të denjë të qytetarëve”, thekson Adili Emini.
Ajo shton se sjellje të tilla janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe kërkojnë reflektim të menjëhershëm, si dhe përgjegjësi institucionale nga të gjithë akterët e përfshirë.



