Kryetari i Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke përcjellë mesazhe për paqe, shëndet dhe mirëqenie.
Në urimin e tij, Filipçe uroi që ditët e shenjta të Bajramit të sjellin shëndet, qetësi dhe begati në çdo familje, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve.
Ai vlerësoi se Fitër Bajrami përfaqëson një festë të humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit, ku sipas tij, më së shumti ndjehet forca e bashkimit dhe solidaritetit në shoqëri.
Filipçe bëri thirrje që këto vlera të shërbejnë si udhërrëfyes për të vazhduar ndërtimin e një shteti të drejtë, solidar dhe të bashkuar për të gjithë qytetarët, duke theksuar se dallimet janë forcë, ndërsa bashkimi mbetet vlera më e madhe e shoqërisë.
Në fund, ai uroi që kjo festë të rikthehet për shumë vite me gëzim dhe harmoni për të gjithë besimtarët.



