Struga dhe Pogradeci drejt një epoke të re bashkëpunimi – fokus te turizmi, UNESCO dhe lidhja ujore

Komuna e Strugës ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me një delegacion nga Republika e Shqipërisë, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të thelluar ndërmjet dy qyteteve liqenore.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, priti deputetin Bledi Çomo dhe kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, në një takim ku u trajtuan çështje me interes të përbashkët për të dyja palët.
Në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e rajonit të Ohrit nën UNESCO, si dhe rritja e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe kulturës, duke synuar zhvillim më të qëndrueshëm dhe promovim më të madh të rajonit.
Një theks i veçantë iu dha aplikimeve të përbashkëta në projekte evropiane, që pritet të sjellin investime dhe mundësi të reja zhvillimi për Strugën dhe Pogradecin.
Po ashtu, gjatë takimit u hap edhe tema e përmirësimit të lidhjes ndërmjet dy qyteteve përmes transportit ujor në Liqenin e Ohrit, një ide që mund të shndërrohet në projekt konkret në të ardhmen.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, me gatishmëri të ndërsjellë për të intensifikuar bashkëpunimin në periudhën në vijim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit