Grupi i tifozëve “Vojvodët” i demanton ashpër informacionet që gjatë ditës së djeshme janë publikuar nga disa media lidhur me një incident të pretenduar në qendër të Tetovës, ku kinse ishte përfshirë një grup më i madh personash, përcjell tetova1.
Publikisht dhe pa asnjë dilemë theksojmë se as të shtunën dhe as të dielën nuk ka ndodhur asnjë incident i tillë, siç po përpiqen ta paraqesin disa media. Bëhet fjalë për informacione krejtësisht të paverifikuara dhe tendencioze, me të cilat manipulohet opinioni publik dhe krijohet një pasqyrë e rreme për ngjarje që nuk kanë ndodhur fare.
Si grup që përmendet drejtpërdrejt dhe lidhet me këto pretendime, nuk do të lejojmë që emri ynë të keqpërdoret për përhapjen e spekulimeve dhe lajmeve të rreme, apo të shfrytëzohet si mjet për nxitjen e tensioneve ndëretnike.
U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që sa më shpejt të zbardhin plotësisht rastin dhe t’i paraqesin publikisht faktet, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i jepet fund dezinformatave që po qarkullojnë në opinion.
Njëkohësisht, apelojmë ndaj mediave të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe të përmbahen nga publikimi i informacioneve të paverifikuara që mund të shkaktojnë pasoja serioze në shoqëri.
Publikut i drejtojmë një apel të qartë që të mos bie pre e lajmeve të rreme dhe manipulimeve të tilla. Përhapja e dezinformatave nuk sjell asgjë tjetër përveçse tensione të panevojshme dhe prishje të qetësisë.
Grupi i tifozëve “Vojvodët” gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë në anën e së vërtetës”, thuhet në demantin e tifo grupit “Vojvodët”./tetova1.mk



