Kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, deklaroi se në vend nuk ka migrantë dhe këtë e dëshmoi më së miri deklarata e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar. Në emisionin “n’Podium” në Ora4.tv, ai theksoi se akuzat e opozitës për praninë e migrantëve janë të pabaza.
Sipas Mickoskit, nuk ka burim më të besueshëm për këtë çështje sesa deklarata e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në vend, i cili ka konfirmuar se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë negociata që migrantë nga Britania të pranohen në Maqedoni.
Ai theksoi se nuk ekzistojnë kampe migrantësh në vend dhe sfidoi publikisht këdo që pretendon të kundërtën të paraqesë prova. Sipas tij, nëse gjendet qoftë edhe një rast i tillë, ai është i gatshëm të dalë publikisht dhe të kërkojë falje.
“Jo vetëm që nuk ka migrantë që ecin nëpër rrugë, siç u pretendua se do të ndodhte në mars apo prill, por as nuk do të ketë,” tha Mickoski, duke akuzuar opozitën se po përhap dezinformata për këtë çështje./Ora24.tv



