Taremi kërkon rikthimin në Iran për të mbrojtur vendin

Ylli i Kombëtares së Iranit, Mehdi Taremi, raportohet se ka njoftuar drejtuesit e klubit të tij aktual, Olympiacos, për dëshirën e tij që të rikthehet në atdhe për t’iu bashkuar strukturave ushtarake në një moment që ai e konsideron vendimtar për vendin e tij.

Sulmuesi 33-vjeçar, i cili më parë ka luajtur për Porton dhe Interin, thuhet se ka shprehur vendosmërinë e tij për t’u kthyer në Iran me qëllim që të “qëndrojë përkrah udhëheqjes së ushtrisë dhe komandës ushtarake për të marrë armët dhe për të mbrojtur Republikën Islamike të Iranit”. Sipas burimeve pranë klubit grek, Taremi ua ka bërë të qartë drejtuesve se vendimi i tij lidhet me situatën aktuale dhe tensionet në rajon.

Zyrtarë nga Iranian Football Federation po përpiqen ta bindin lojtarin të vazhdojë karrierën në Evropë, duke theksuar rëndësinë e tij si figurë kombëtare dhe simbol sportiv për Iranin, sidomos në prag të garave ndërkombëtare. Megjithatë, përgjigjja e sulmuesit ka qenë e prerë dhe emocionale: “Ky është momenti kur vendi im ka nevojë më së shumti për mua”

Nëse ky vendim konfirmohet zyrtarisht, ai do të përbënte një kthesë të jashtëzakonshme në karrierën e Taremit, i cili ka qenë një nga futbollistët më të suksesshëm iranianë në Evropë vitet e fundit dhe një nga liderët kryesorë të kombëtares së Iranit. Deri tani, as klubi dhe as federata nuk kanë publikuar një njoftim përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit