Policia parandalon vetëvrasjen e një të mituri pas postimit në rrjetet sociale

Sektori i Krimit Kibernetik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) informon se gjatë 24 orëve të fundit, në suaza të aktiviteteve të rregullta për monitorimin e hapësirës digjitale, u detektua një postim në një rrjet social me përmbajtje e cila tregonte për synimin e mundshëm të vetëvrasjes nga një përdorues i mitur.

Siç thonë nga MPB, menjëherë pas marrjes së informacionit, u ndërmorën veprime urgjente dhe të koordinuara, me ç’rast u morën të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për të konstatuar identitetin dhe vendndodhjen e personit.

“Brenda një kohe të shkurtër u gjet përdoruesi, është kryer intervistë me të dhe është konstatuar se personi është i sigurt dhe në gjendje të mirë. Për ngjarjen janë njoftuar edhe prindërit, të cilët janë të njohur me situatën e përgjithshme dhe hapat e mëtejshëm. Kjo ngjarje thekson edhe një herë rëndësinë e monitorimit të kujdesshëm të sjelljes së të rinjve në hapësirën digjitale. U bëjmë thirrje prindërve të mbajnë komunikim të rregullt dhe të hapur me fëmijët e tyre, të tregojnë interes për aktivitetet e tyre në rrjetet sociale dhe të reagojnë menjëherë kur vërejnë tërheqje, ankthe, postime kërcënuese ose shqetësuese dhe sjellje të tjera të pazakonta”.

“Njëherësh, u bëjmë thirrje miqve, shokëve të shkollës dhe të gjithë përdoruesve të rrjeteve sociale: nëse vërejnë postime me përmbajtje që i referohen vetëlëndimit, mungesës së shpresës ose njoftimeve për vetëvrasje, të përdorin menjëherë mekanizmat e raportimit të kësaj platforme dhe nëse e dinë identitetin e personit, të njoftojnë prindin, kujdestarin, mësuesin, ndonjë person tjetër më të moshuar ose stacionin më të afërt të policisë”, thonë nga MPB duke shtuar se reagimi në kohë mund të shpëtojë jetë. Përgjegjësia e përbashkët, vëmendja dhe kujdesi janë thelbësore në parandalimin e tragjedive.

“ Sektori i Krimit Kibernetik mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën digjitale dhe do të vazhdojë me aktivitete të intensifikuara që synojnë zbulimin e hershëm dhe parandalimin e fenomeneve të rrezikshme”, theksojnë nga MPB.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit