Vendim për bashkimin e Klinikës së Kardiologjisë dhe Klinikës Shtetërore të Kardiokirurgjisë – formohet një qendër e vetme terciare për mjekësinë kardiovaskulare

Qeveria, në mbledhjen e fundit që u mbajt të martën e kaluar (24.02.2026), me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, mori vendim për bashkimin e Klinikës së Kardiologjisë dhe Klinikës Shtetërore të Kardiokirurgjisë. Qëllimi është sigurimi i një niveli më të lartë të integrimit, koordinimit dhe efikasitetit në trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, përmes shfrytëzimit racional të burimeve ekzistuese njerëzore, hapësinore dhe teknologjike të të dy institucioneve.
“Me vendimin për bashkimin e dy klinikave formojmë një qendër të vetme në nivel terciar për mjekësinë kardiovaskulare, e cila mundëson vazhdimësi të procesit diagnostik dhe terapeutik – nga parandalimi dhe diagnostikimi, deri te trajtimi intervenues dhe kirurgjik. Përmes eliminimit të dyfishimeve administrative dhe optimizimit të strukturës organizative, krijojmë kushte për kursime financiare që do të riinvestohen në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe edukimin profesional të stafit”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Në këtë mënyrë do të mundësohet shfrytëzim më i mirë i kapaciteteve, përkatësisht rritje e numrit të ndërhyrjeve përmes integrimit të shërbimeve laboratorike, të sterilizimit dhe të sallave operative. Pacientët do të marrin kujdes të plotë kardiologjik dhe kardiokirurgjik brenda një institucioni të vetëm, pa pengesa administrative dhe pa pritur për transferim, gjë që nënkupton qasje më të madhe dhe vazhdimësi të shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu, bashkimi i klinikave do të kontribuojë edhe në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor, duke krijuar një qendër të përbashkët akademike me më shumë mundësi për trajnim të specializantëve, subspecializantëve dhe për zhvillimin e programeve shkencore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit