Osmani: Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, dinjitet dhe liri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e 28 shkurtit 1998 në Likoshan dhe Qirez, duke theksuar se sakrifica e të rënëve u shndërrua në thirrje për qëndresë dhe liri për mbarë popullin e Kosovës.

Sipas saj, më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Serbisë kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror në Kosovë, duke vrarë 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, prej të cilëve 20 civilë që u shndërruan në martirë dhe katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ranë në mbrojtje të popullatës civile.

“Kjo ishte një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e lirisë që po rritej në Drenicë dhe në mbarë Kosovën. Gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, për dinjitet dhe për liri. Ata u bënë pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit rrugëtimi ynë drejt çlirimit dhe shtetndërtimit”, ka theksuar Osmani.

Presidentja shtoi se kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve mbetet amanet për drejtësi dhe për ruajtjen e lirisë së fituar me sakrificë.

“Lavdi e përjetshme të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit”, përfundoi ajo./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit