Në përfaqësinë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, njëmbëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar zyrtarisht evakuim nga Izraeli.
Sipas informacioneve të fundit, hapësira ajrore mbetet e mbyllur të paktën deri të hënën.
Pas rihapjes së saj do të shqyrtohen mundësitë dhe modelet për organizimin e një evakuimi eventual, në përputhje me rrethanat dhe gjendjen e sigurisë.
Ministria e Jashtme njoftoi se në këtë fazë, rekomandimi për shtetasit e vendit është që të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare të autoriteteve izraelite, të veprojnë në përputhje me protokollet e sigurisë dhe të qëndrojnë në strehimore kur kjo urdhërohet.
“Sa i përket përfaqësive diplomatiko-konsullore në Doha dhe Abu Dabi, deri në këtë moment asnjë shtetas i Maqedonisë së Veriut nuk ka kërkuar evakuim”, informoi MPJ.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, përmes rrjetit social X shprehu mbështetje të qartë për koordinimin aleat në përballjen me kërcënimet destabilizuese në Lindjen e Mesme, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të përbashkët në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Qëndrojmë me aleatët tanë amerikanë në përballjen me kërcënimet që minojnë stabilitetin e Lindjes së Mesme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se diplomacia është gjithmonë opsioni i parë, por se parandalimi mbetet i domosdoshëm kur ekzistojnë rreziqe të besueshme”, theksoi ministri Mucunski.
Po ashtu, ministri njoftoi se përfaqësitë diplomatiko-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rajon janë në komunikim dhe angazhim aktiv për të mbështetur dhe asistuar shtetasit e Maqedonisë së Veriut, duke garantuar sigurinë e tyre dhe mbrojtje të plotë konsullore.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme në disa qytete të Iranit.



