Në vend që të jetë në burg, inspektori i dënuar punon aktivisht dhe merr pagë nga MPB

Inspektori i policisë Nikollço Medarski (51) nga Strumica punon aktivisht në SPB Strumicë dhe merr pagë si inspektor, pavarësisht se është dënuar me 4 vjet e gjysmë burg. Emri i Medarskit u bë i njohur për opinionin publik pasi para disa ditësh në Strumicë iu dogj xhipi “Land Rover” me targa të Strumicës.

Sipas informacioneve, dënimi i është shqiptuar për përfshirje në kontrabandë me artefakte. Sipas të dhënave zyrtare që redaksia e MKD.mk i mori nga burgu i Shtipit, inspektori i policisë duhej, me akt dërgimi, të paraqitej për vuajtjen e dënimit me burg më 24 shkurt të këtij viti, por në vend të qelisë në burg, ka mbërritur një dokument nga gjyqtari për ekzekutimin e sanksioneve në Gjykatën Themelore në Strumicë, me të cilin të dënuarit, për arsye shëndetësore, i shtyhet vuajtja e dënimit deri në maj të këtij viti.

Ndërkohë, për vepër penale të lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kontrabandë me artefakte, ai vazhdon të jetë në marrëdhënie të rregullt pune në MPB, nga ku për MKD.mk zyrtarisht na e konfirmuan informacionin.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se personi është i sistemuar në vendin e punës inspektor që nga 12.11.2019 dhe marrëdhënia e tij e punës vazhdon edhe më tej”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MPB-së për MKD.mk.

Rregulli bazë për të punuar si inspektor apo në çfarëdo pozite në MPB është që personi të mos ketë një vendim gjyqësor të formës së prerë. Sipas Ligjit për Punë të Brendshme dhe Ligjit për Policinë, një person që është dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale, veçanërisht nëse i është shqiptuar dënim me burg, në parim nuk mund të punësohet në MPB dhe, nëse tashmë punon, duhet t’i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Megjithatë, në këtë rast Medarski, i cili duhet të luftojë kundër krimit, ndërkohë që vetë është i dënuar për veprime kriminale me artefakte, sipas të dhënave zyrtare nga MPB, kjo nuk paraqet pengesë që ai ende të punojë në vendin e tij të punës dhe të marrë pagë nga MPB.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit