Ana e errët e meditimit, për të cilën flitet rrallë

Meditimi dhe vëmendja e plotë, promovohet shpesh si zgjidhja universale dhe pa kosto për stresin. Megjithatë, studimet e fundit por edhe dëshmitë historike zbulojnë se kjo praktikë e ka një “anë të errët” që rrallë e përmend industria e mirëqenies.

Edhe pse sot konsiderohet një risi moderne, dëshmitë për efektet negative të meditimit datojnë mbi 1.500 vjet më parë në Indi. Shkrimi i shenjtë budist Dharmatrāta, detajon simptoma të depresionit, ankthit dhe anomalive njohëse si psikoza apo depersonalizimi – gjendje ku individi e ndjen botën si “joreale”- pas praktikimit të meditimit.

Studimet e viteve të fundit, vërtetojnë se këto efekte nuk janë të rralla. Një studim i vitit 2022 në SHBA me 953 praktikantë, zbuloi se mbi 10 për qind e tyre përjetuan efekte negative me ndikim domethënës në jetën e përditshme.

Sipas një analize të vitit 2020, pasojat më të shpeshta përfshijnë ankthin, depresionin, disociimin dhe terrorin. Këto simptoma shfaqen edhe te njerëzit pa probleme të mëparshme të shëndetit mendor, madje edhe pas një ekspozimi të moderuar.

Problemi etik qëndron te mungesa e informimit. Ronald Purser e cilëson këtë fenomen si “McMindfulness”, një spiritualitet kapitalist që vetëm në SHBA vlen 2.2 miliardë dollarë.

Edhe Jon Kabat-Zinn, pionieri i kësaj lëvizjeje, pranon se një pjesë e madhe e hulumtimeve mbi ndikimet pozitive janë nën nivelin e duhur shkencor. Entuziazmi mediatik ka qenë i njëanshëm, duke injoruar studime masive si ai i Wellcome Trust (në vitin 2022).

Ky kërkim me mbi 8.000 fëmijë në Britani, tregoi se vëmendja e plotë jo vetëm që nuk përmirësonte mirëqenien, por mund të kishte efekte të dëmshme te fëmijët që ishin tashmë në rrezik për probleme mendore.

Shumë instruktorë besojnë se meditimi bën vetëm mirë, dhe shpesh nuk u besojnë praktikantëve që raportojnë efekte negative, duke i këshilluar gabimisht të vazhdojnë praktikën.

Shkenca sapo ka filluar të studiojë praktikimin e sigurt, por na mungojnë ende teoritë psikologjike për të kuptuar gjendjet e pazakonta të vetëdijes që nxit meditimi. Nëse meditimi do të përdoret si mjet terapeutik, publiku duhet të informohet plotësisht për potencialin e tij dëmtues. /tesheshi.com/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit