Muzeu i Mitrovicës anëtarësohet në Network of European Museum Organisations (NEMO)

Rrjeti evropian i muzeve ka zgjeruar radhët e tij me një anëtar të ri nga Kosova. Network of European Museum Organisations (NEMO) ka njoftuar zyrtarisht pranimin e Muzeut të Mitrovicës si anëtar të ri të këtij rrjeti prestigjioz, duke e vlerësuar rolin e institucionit në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit.

Muzeu i Qytetit të Mitrovicës është një institucion publik komunal kulturor që vepron në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Ai ka për mision ruajtjen, hulumtimin dhe prezantimin e trashëgimisë historike e kulturore të qytetit përmes ekspozitave, programeve edukative dhe aktiviteteve që synojnë përfshirjen e komunitetit.

Drejtoresha e muzeut, Nora Prekazi, e ka cilësuar anëtarësimin në NEMO si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të vizionit të institucionit. Sipas saj, muzeu synon të jetë një hapësirë e hapur, gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt komunitetit, veçanërisht në një qytet që ka përjetuar sfida të mëdha politike dhe etnike.

“Përmes bashkëpunimit evropian, synojmë të shkëmbejmë njohuri, të zhvillojmë më tej praktikat tona edukative dhe pjesëmarrëse, si dhe ta bëjmë muzeun më gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë,” ka deklaruar Prekazi.

Anëtarësimi në NEMO pritet të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi ndërkombëtar për Muzeun e Mitrovicës, duke forcuar rolin e tij si një qendër e rëndësishme kulturore dhe edukative në Kosovë dhe më gjerë./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit