Tripunovski: Me programin e ri vendosim rregull dhe shpërndarje të drejtë të subvencioneve

Shkup, 26 shkurt – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nga foltorja e Kuvendit theksoi se opozita po përhap panik dhe dezinformata në mesin e bujqve të Maqedonisë.

 

“Në ditët e fundit jemi dëshmitarë të një modeli klasik të politikanizmit nga ana e opozitës, në vend të debatit, po plasohen gënjeshtra dhe manipulime me qëllim që të krijohet kaos në sektorin bujqësor të vendit”, theksoi ministri.

 

Ai nënvizoi se ndryshimet në Programin për pagesa direkte për vitin 2026 nuk nënkuptojnë ulje të subvencioneve, por vendosje të rregullit dhe shpërndarje të drejtë të mjeteve që i siguron shteti.

 

“Qëllimi është që mbështetja financiare të përfundojë tek bujqit e vërtetë”, sqaroi ministri Tripunovski.

 

“Me ndryshimet parashihet rritja e pragjeve minimale të pranueshme për përfitimin e subvencioneve. Tek pemishtet dhe vreshtat, nga 0,2 në 0,5 hektarë, ndërsa tek kulturat drithore pragu është rritur në 0,7 hektarë. Në blegtori parashihet minimumi tre lopë, 30 dhi, 30 dele dhe 30 familje bletësh”, shtoi ai.

 

Ministri sqaroi se këto ndryshime nuk do të zbatohen menjëherë. Bujqit që aktualisht nuk i plotësojnë kushtet e reja do të kenë një periudhë kalimtare prej dy vitesh për t’u përshtatur.

 

“Manipulimet se bujqit e vegjël do të mbesin pa subvencione janë të pasakta. Përkundrazi, ne po japim kohë dhe mbështetje për rritjen dhe konsolidimin e tyre, me qëllim rritjen e rentabilitetit dhe prodhimit”, theksoi ai.

 

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në sektorin e prodhimit primar bujqësor dhe përpunimit është evidentuar bilanc pozitiv, gjë që, siç theksoi ministri, paraqet motiv shtesë për reforma në këtë sektor.

 

Ministri Tripunovski shtoi se një nga risitë është edhe detyrimi që të paktën 30% e prodhimit të dorëzohet në pika të regjistruara grumbulluese ose kapacitete përpunuese. Me këtë do të parandalohen keqpërdorimet nga persona që posedojnë tokë, e japin me qira, nuk prodhojnë, por përfitojnë subvencione.

 

“Po forcohet kontrolli në terren përmes përfshirjes së kapaciteteve të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë si mbështetje për Agjencinë e Pagesave. Fokus i veçantë do të ketë tek kulturat shumëvjeçare dhe blegtoria”, theksoi ministri.

 

Ministri Tripunovski theksoi se para dhe pas miratimit të Programës janë mbajtur takime të shumta me shoqatat bujqësore, të cilat janë informuar për risitë dhe i kanë mirëpritur ato.

 

“Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zhvillimit të sektorit bujqësor të vendit”, porositi ministri Tripunovski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit