Rubio takon Osmanin: Kosova partnere e rëndësishme për paqe dhe stabilitet

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka vlerësuar rolin e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, pas një takimi me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në platformën X, Rubio bëri të ditur se e ka falënderuar Osmanin dhe popullin e Kosovës për përkushtimin ndaj paqes, duke theksuar rolin e vendit si anëtar themelues i Bordit të Paqes. Ai po ashtu vlerësoi kontributin e Kosovës në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

 

 

“U takova me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin ndaj paqes dhe stabilitetit, duke qenë anëtar themelues i Bordit të Paqes. Gjithashtu e falënderova presidenten Osmani për kontributin e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”, ka shkruar Rubio.

Në njoftimin e United States Department of State është theksuar se Osmani mbetet një partnere e përkushtuar e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Sipas komunikatës, Uashingtoni pret të bashkëpunojë me qeverinë e re të Kosovës për të avancuar agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Më herët gjatë ditës, presidentja Osmani bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit