21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare dhe hapja e “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe”

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur nga UNESCO dhe e miratuar më 21 shkurt 1999 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara me një rezolutë të veçantë. Kjo ditë synon promovimin e diversitetit gjuhësor dhe ruajtjen e gjuhëve amtare në mbarë botën.

Për shqiptarët, 21 Shkurti ka një domethënie të veçantë historike. Në këtë ditë përkujtohen të gjithë ata që në shekuj punuan për gjuhën shqipe, veçanërisht rilindësit që luftuan për ta shkruar shqipen me një alfabet të vetëm. Kongresi i Manastirit, i njohur si Kongresi i Alfabetit, përbën një moment kyç të bashkimit kombëtar, ku faktori gjuhësor luajti rol vendimtar.

Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, shqipja u bë gjuha zyrtare e shtetit shqiptar. Megjithëse copëtimi i trojeve shqiptare në vitin 1913 krijoi ndarje politike, gjuha mbeti elementi kryesor i identifikimit dhe bashkimit kombëtar. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte Kongresi i Drejtshkrimit, i cili standardizoi shqipen dhe forcoi më tej njësimin gjuhësor të shqiptarëve në të gjitha trojet.

Në këtë përvjetor, një tjetër zhvillim me rëndësi është hapja zyrtare për publikun e platformës online të “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Platforma, e aksesueshme në domenin fjalori.online, është bërë funksionale që nga 12 janari 2026, duke ofruar qasje të lirë për të gjithë përdoruesit.

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” përfaqëson kurorëzimin e një pune pesëvjeçare (2021–2025) dhe përfshin mbi 125.000 njësi leksikografike: rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, mijëra njësi frazeologjike, togfjalësha terminologjikë, terma të huazuar dhe rreth 250.000 kuptime leksikore të shoqëruara me mbi një milion shembuj ilustrues.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit