Në nder të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Republikës së Kosovës në Strugë organizoi një orë letrare kushtuar kësaj date të rëndësishme historike.
“Në këtë festë të madhe përkujtojmë sakrificën e dëshmorëve, familjes Jashari dhe të gjithë popullit. Për lirinë e Kosovës kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës. Kosova dhe institucionet e saj janë të fokusuara në integrimin në Bashkimin Europian, si dhe në procesin e dialogut me Serbinë”, tha mes tjerash konsulli Agim Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, në fjalën e rastit theksoi se dita e pavarësisë nuk ka ardhur si dhuratë, por si rezultat i sakrificave të shumta.
“Ditë si kjo na rikujton se lufta e drejtë fiton. Na rikujton sakrificën e popullit shqiptar, trimërinë e UÇK-së dhe sensibilizimin e mbarë botës se ‘Mjaft është mjaft’, se nuk mund të lejohet një gjenocid i ri në prag të shekullit të ri, në zemër të Europës së re. Kjo ditë na bën të reflektojmë edhe për përgjegjësinë dhe privilegjin që kemi për të qenë në krye të proceseve bashkëpunuese ndërmjet vendeve tona”, tha Qyra.
Gjatë kësaj mbrëmjeje u interpretuan poezitë dhe esetë më të mira të nxënësve të shkollave të mesme të Strugës, ndërsa tre vendet e para u shpërblyen me çmime.




