Akyaka, fshati turk mes maleve dhe lumit Azmak, u ruajt nga betonizimi falë vizionit të poetit dhe arkitektit Nail Çakirhan
Fshati Akyaka është një prej atyre vendeve që shpreson të mos i zbulojë askush. I fshehur mes maleve me pisha dhe ujërave të ftohta e kristaltë të lumit Azmak, ai duket si një pamje e qetësisë. Shtëpitë e bardha me korniza druri dhe streha të gjera shtrihen natyrshëm mbi peizazh, ndërsa pranvera sjell nëpër ajër aromën e eukaliptusit dhe luleve të portokallit. Një vend i përsosur për pushime – por shumë pak ka munguar që të gjithë kjo të zhdukej. Në vitet 1970, Akyaka ishte thjesht një vendbanim i vogël peshkatarësh në Mugla, Turqia jugperëndimore. Shtëpi të thjeshta me tulla dhe kënetat e mbushura me mushkonja e rrethonin zonën. Me rritjen e turizmit në Turqi dhe zhvillimin masiv përgjatë Anadollit, edhe Akyaka rrezikonte të kthehej në një projekt tjetër betonizimi.

Por mbërritja e Nail Çakirhanit – poet, intelektual dhe arkitekt autodidakt e ktheu historinë në kahun e duhur. Kur Çakirhan u vendos në Akyaka në vitin 1971 për të kaluar vitet e pleqërisë me bashkëshorten e tij, arkeologen Halet Çambel, ai mund të zgjidhte thjesht qetësinë. Por ai e kuptoi vlerën e peizazhit dhe u përpoq ta ruante.

Pa pasur ndonjë trajnim formal në arkitekturë, ai projektoi shtëpinë e tij të vendosur mbi një shkëmb të lartë me pamje nga deti. Duke u frymëzuar nga arkitektura osmane, ai ndërtoi një strukturë moderne, por të lidhur me traditën: mure të zbardhura me gëlqere, streha të gjera për hije, ventilim natyror për të përballuar vapën e verës dhe një kornizë druri të qëndrueshme ndaj tërmeteve.

Brenda, shtëpia ishte funksionale dhe e thjeshtë: dyer që futeshin në ndarje, depo të ndërtuara prej druri dhe një sallë qendrore që lidhej natyrshëm me një dhomë kopshti. Në vitin 1983, dizajni i tij fitoi Çmimin prestigjioz Aga Khan për Arkitekturë. Shpejt, banorët e pasur të zonës filluan t’i porosisnin shtëpi të ngjashme. Kjo kërkesë ringjalli zejet lokale, veçanërisht marangozin, duke krijuar punësim dhe mjeshtëri të re.

Stili i Çakirhanit u kthye në model për të ardhmen e Akyakës. Në vitet 1990, kur u hartuan rregullat urbanistike, standardet arkitekturore të vendosura prej tij u përfshinë në mënyrë zyrtare për pothuajse çdo ndërtesë të re. Shtëpia e tij e vogël kishte shpëtuar fshatin nga “rritja e frikshme kancerogjene e betonit” që ai e kundërshtonte me forcë.

Sot Akyaka ka statusin Cittaslow – një etiketë ndërkombëtare që u jepet vendeve që i kushtohen cilësisë së jetës dhe ruajtjes së traditave. Akyaka ndodhet në një pikë të mrekullueshme të Gjirit Gokova, ku deti, fusha, malet dhe lumi takohen harmonikisht. Udhëtimet me varkë mbi Azmak ofrojnë një pamje të pasur të florës e faunës së ujit të ftohtë. Përtej lumit, fshati ka shtresa të historisë: varre shkëmbore, kështjella, dhe një trashëgimi 3 mijë vjeçare që nis nga qyteti antik Idyma. Por fama e Akyakës po krijon sfida të reja. Pas pandemisë së Covid-19, shumë njerëz u zhvendosën nga qytetet e mëdha drejt fshatrave të qeta. Akyaka u bë një strehë e re për ta – ashtu si dikur për Çakirhanin. Dhe tani, pasi është renditur edhe në listën e fshatrave më të mirë turistikë të OKB-së, kërkesa vetëm sa po rritet.

Pavarësisht rregullave arkitekturore që pengojnë ndërtimet gjigante, ritmi i shpejtë i jetës dhe zhurma në verë rrezikojnë ta dëmtojnë karakterin “e ngadaltë” të vendit.



