Shkup – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për kontrolle të jashtëzakonshme ndaj të gjitha kompanive që prodhojnë kanabis mjekësor, me qëllim parandalimin e prodhimit të paligjshëm dhe shpërndarjes në tregun e zi, vendas dhe ndërkombëtar.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, duke sqaruar se vendimi është marrë në seancën e 149-të të Qeverisë, ku u shqyrtua informacioni lidhur me licencat për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Sipas saj, Qeveria i ka ngarkuar të gjitha institucionet kompetente që, brenda 45 ditëve, të realizojnë kontrolle të detajuara ndaj të gjithë personave juridikë me licencë dhe të dorëzojnë raporte përkatëse në Qeveri.
“Qëllimi është i qartë – të mos lejohet asnjë formë abuzimi dhe të mos ketë selektivitet në veprim”, theksoi Azizi.
Në të njëjtën seancë, Qeveria vendosi edhe riaktivizimin e Komisionit shtetëror ndërinstitucional për luftën kundër drogës, i cili, sipas Azizi, që nga viti 2017 ka qenë joaktiv dhe pa rezultate konkrete. Në të ardhmen, nga ky komision do të kërkohen raporte të rregullta dhe llogaridhënie.
Ndërkohë, Qeveria mori vendim edhe për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza”, duke krijuar bazë ligjore për ndërtimin e një parkingu modern, përfshirë garazhe me kate dhe sistem digjital për menaxhim efikas.
Po ashtu, në seancë u miratua projektligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili së bashku me projektligjin për Prokurorinë Publike ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias, duke shënuar një hap të rëndësishëm në Agjendën Reformuese.
“Në fokus mbetet interesi i qytetarëve dhe realizimi i programit qeveritar për një jetë më të mirë, më cilësore dhe më të sigurt për të gjithë”, përfundoi Azizi.



