Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, si pjesë e delegacionit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zhvilloi takime institucionale të nivelit të lartë në selinë e UNESCO-s në Paris, duke konfirmuar rolin aktiv të Strugës në proceset ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Në kuadër të këtyre takimeve, Qyra u takua me Nasser bin Hamad Al-Hinzab, Kryetar i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, si dhe me Khaled El-Enany, Drejtor i Përgjithshëm i organizatës. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, dialogut institucional dhe qasjes së qëndrueshme në menaxhimin e pasurive me vlerë universale.
Komuna e Strugës rikonfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të hapur, aktiv dhe konstruktiv, duke theksuar se mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët kërkon përgjegjësi të ndarë dhe angazhim afatgjatë nga të gjitha palët.
Këto takime në Paris përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të Strugës në proceset e UNESCO-s, duke e pozicionuar komunën si partner serioz në ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë botërore.




