Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e platformave ndërkombëtare të udhëtimeve, me qytetet e saj që kombinojnë trashëgiminë historike, natyrën dhe jetën moderne.
Sipas Europexplores dhe Dreaming Travel, pesë qytete shqiptare renditen ndër destinacionet më të rekomanduara për t’u vizituar.
Në krye të listës është Tirana, kryeqyteti i vendit, e përshkruar si një qytet me atmosferë të gjallë dhe një përzierje të harmonizuar të historisë, kulturës dhe zhvillimit modern. Monumente si sheshi “Skënderbej” dhe Muzeu Historik Kombëtar cilësohen si pika kyçe që pasqyrojnë identitetin e qytetit.
Shkodra vlerësohet për rëndësinë e saj historike dhe pozicionin pranë liqenit të Shkodrës, ndërsa kalaja e Rozafës përmendet si një nga atraksionet kryesore, që ofron pamje panoramike mbi qytetin dhe zonën përreth.
Në jug, Vlora renditet si një destinacion i rëndësishëm bregdetar, e njohur për plazhet përgjatë Jonit dhe për vlerën historike si qyteti ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Manastiri i Zvërnecit dhe atraksionet natyrore përreth përmenden si elementë që e pasurojnë ofertën turistike.
Saranda përshkruhet si një destinacion ideal për pushime bregdetare, me akses të afërt në Parkun Kombëtar të Butrintit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, duke ofruar mundësi për turizëm natyror dhe kulturor.
Lista plotësohet nga Gjirokastra, e njohur për arkitekturën osmane dhe shtëpitë karakteristike prej guri. Kalaja e Gjirokastrës vlerësohet për pamjen panoramike që ofron mbi qytetin dhe rrethinat, duke e bërë qytetin një ndalesë të rëndësishme për vizitorët e interesuar në histori dhe trashëgimi kulturore.
Sipas vlerësimeve të platformave ndërkombëtare, këto qytete përfaqësojnë potencialin e Shqipërisë si një destinacion turistik gjithnjë e më i preferuar në rajon./atsh/KultPlus.com



