SHBA, Britania dhe Australia nisin stërvitjen ajrore Red Flag 2026

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia kanë nisur stërvitjen ajrore Red Flag 26-1 në bazën ajrore Nellis në Nevada, një nga ushtrimet më të rëndësishme të trajnimit luftarak në botë.

Stërvitja përfshin avionët luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore britanike dhe avionët F-35A të Forcave Ajrore Australiane, si dhe avionin e kontrollit ajror E-7A Wedgetail.

Qëllimi është testimi i bashkëpunimit operacional, ndarjes së të dhënave dhe komandës së përbashkët në skenarë që simulojnë konflikte të nivelit të lartë.
Red Flag konsiderohet një nga testet më realiste për pilotët dhe njësitë ajrore, pasi simulon mjedise lufte me kërcënime të shumta, përfshirë sisteme kundërajrore, luftë elektronike dhe operacione në disa fusha njëkohësisht.

Stërvitja mbledh rreth 3 mijë pjesëmarrës nga dhjetëra njësi ushtarake dhe konsiderohet një provë e rëndësishme për aftësinë e aleatëve për të operuar së bashku në një konflikt të mundshëm të nivelit të lartë.

Ekspertët ushtarakë theksojnë se ushtrime të tilla tregojnë se konfliktet e ardhshme ajrore do të varen më shumë nga sistemet e integruara, ndarja e informacionit dhe komandimi i koordinuar sesa nga performanca e një avioni të vetëm.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit