Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me debatin për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke kritikuar përfaqësuesit e VLEN-it për, siç tha ai, përpjekjet për të fshehur pafuqinë politike përmes arsyetimeve dhe akuzave ndaj të tjerëve. Sipas Ademit, që nga fillimi i peticionit të studentëve, përfaqësues të këtij subjekti kanë tentuar të shpikin justifikime dhe madje kanë akuzuar edhe Ambasadën e Shqipërisë si “të painformuar” për statusin zyrtar të gjuhës shqipe.
Ai theksoi se këto pretendime u hodhën poshtë nga vetë kryeministri Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe se studentëve duhet t’u mundësohet dhënia e provimit në gjuhën shqipe. Ademi shprehu shpresën që kjo situatë të shërbejë si mësim për aktorët politikë, duke i ftuar ata të përqendrohen në ushtrimin e përgjegjësive institucionale dhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve që pretendojnë se përfaqësojnë, në vend të, siç u shpreh ai, gjetjes së fajtorëve dhe trillimit të akuzave. Ai përgëzoi studentët për iniciativën dhe këmbënguljen, duke theksuar se mbështetja ndaj kërkesave të tyre të drejta do të vazhdojë. Në reagimin e tij, Ademi kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit Filkov, duke e akuzuar për shkelje të hapur të ligjit dhe Kushtetutës. Ai paralajmëroi se, nëse partnerët qeveritarë nuk ndërmarrin hapa në këtë drejtim, do të përdoren të gjitha mekanizmat institucionalë dhe demokratikë për largimin e tij nga detyra.



