Më 7 shkurt të vitit 2020, do të këputej në eterin e atij adhurimi, Nexhmije Pagarusha, zëri i magjishëm që magjepsi me këngën shqiptare, këtë traditë, në themelet e së cilës do të ngrihej një tempull i lartë i thesarit tonë kombëtar. “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e Këngës Shqipe”, “Primadona e Melosit Popullor”, “Ema Sumak Shqiptare”, “Madame Butterfly”, “Fyti i Kristaltë”, dhe një mori epitetesh vlerësuese e personifikojnë atë.
Është ky piedestal mirënjohjeje, është ky panteon nderimi, ku qëndron këngëtarja Nexhmije Pagarusha, fenomeni multidimensional, e i papërsëritshëm. Kënga e saj është religjion, besim, art, përjetshmëri që ngjallë shpresën dhe lartëson triumfet. Me 40 vite karrierë artistike dhe një repertor prej 150 këngësh e sjellin atë ndër ne si një domethënie e vlerave shpirtërore, e këngës shqipe, e ambrozit të ëndjeve të hyjshme që ushqen kumbimi nëpër ndërkohë i këtij zëri.
Ajo, në interpretimet e saja, nuk ndjek rregulla, kumton studiuesi Akil Koçi, ajo e ndjen këngën, e ndjen fjalën e thënë përmes melodisë dhe krijon imazhe të reja, qëndrim, rregull, duke u bërë bashkë-autore e këngës, si fryt i perceptimit të saj të subjektit artistik, ku ndihet mesazhi përmes vokalit të saj kumbues, rrëqethës por plotë lëvizje në kompleksi-tetin e interpretimin të saj të shkëlqyer, që paraqet sensacion të fenomenit tingëllor./AlbertVataj/KultPlus.com



