Paga aktuale 35 mijë denarë pas tre vitesh do të bëhet rreth 50 mijë denarë

Organizatat sindikale të AOGJSH-së e pranuan ofertën e Qeverisë, sipas së cilës pagat e rreth 7.800 të punësuarve në administratën shtetërore dhe gjyqësor do të rriten me nga 8% në tre vitet e ardhshme, ndërsa njëkohësisht do të harmonizohen në mënyrë lineare me rritjen e pagës minimale.

AOGJSH:

-Sipas deklarimeve të deritanishme, 95% e organizatave sindikale janë shprehur se kërkesa e Sindikatës së AOGJSH-së, e pranuar nga Qeveria për rritjen e pagave, është më e favorshme dhe e pranueshme.

Sipas llogaritjeve të kryeministrit, nëse në tre vitet e ardhshme pagës së nëpunësve administrativë i shtohen nga 1.500 denarë nga rritja e pagës minimale dhe çdo vit kjo shumë rritet për 8%, atëherë nëse paga aktuale është 35.000 denarë, pas tre vitesh ajo do të ishte rreth 50 mijë denarë, pra më e lartë për rreth 40 për qind.

Sindikalistët duhet të sjellin marrëveshje përfundimtare individuale që do të duhet të nënshkruhen. Nëpunësit pagat e rritura do t’i marrin nga muaji mars, me pagën që do t’u paguhet në prill.

Ndërkohë, negociatat për rritjen e pagës minimale kanë ngecur në një retorikë të ashpërsuar. LSDM-ja doli me propozim konkret për rritjen e pagës minimale në 600 euro.

“Me shkurtime prej 20 deri në 30 për qind në pjesën “mallra dhe shërbime”, ku përfshihen automjetet, mobiliet, udhëtimet, përfaqësimet, shërbimet kontraktuese dhe komoditeti i funksionarëve, sigurohen 130 milionë euro. Me shkurtime në zërin “transfere të ndryshme”, nga honoraret dhe punësimet e përkohshme, sigurohen edhe 75 milionë euro shtesë. Pra, vetëm me shkurtime në këto kategori sigurohen nga 130 deri në mbi 200 milionë euro”, tha Jovana Trençevska – nënkryetare e LSDM-sË.

Kryeministri iu përgjigj se këto mundësi i kishin pasur derisa ishin në pushtet.

“Në kohën kur grabitej buxheti dhe u vidhej qytetarëve, kishte mundësi, si anëtare e Qeverisë, të jepte propozime të tilla dhe, po të ishin pranuar atëherë, Qeveria do të mund t’i operacionalizonte shumë lehtë. Por, për fat të keq, atë shans nuk e shfrytëzuan, përkatësisht e humbën”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Qëndrimi i Qeverisë për pagën minimale mbetet i pandryshuar – se nga muaji mars do të ketë vetëm harmonizim ligjor, me të cilin paga minimale do të rritet për rreth 25 euro. Për rritje më të madhe, pushteti lë që të merren vesh sindikatat dhe punëdhënësit. Sindikalistët, pas protestës, nga java e ardhshme fillojnë me bllokada të institucioneve: të martën do ta bllokojnë Kuvendin, të enjten odat ekonomike, ndërsa më 17 shkurt Qeverinë. Paralajmëruan edhe protesta të reja dhe grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat, nëse nuk dëgjohen kërkesat e tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritjen e të gjitha pagave të tjera për 100 euro.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit