Një burrë 62-vjeçar nga Tetova ka ndërruar jetë pas komplikimeve nga gripi, njofton ISHP

Në periudhën nga 26 janari deri më 1 shkurt është raportuar një rast vdekjeje i lidhur me gripin, njofton Instituti i Shëndetit Publik në raportin javor. Bëhet fjalë për një burrë 62-vjeçar nga Tetova, i cili ishte i shtruar në repartin infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës. Tek personi i ndjerë janë konstatuar komorbiditete dhe ai nuk ishte i vaksinuar kundër gripit sezonal, ndërsa laboratorikisht është konfirmuar Influenza A. Gjatë sezonit të gripit, deri më tani janë regjistruar gjithsej katër persona të vdekur të lidhur me gripin.
Në të njëjtën periudhë, në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 1.498 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 12,3 për qind më pak krahasuar me javën paraprake, kur ishin raportuar 1.708 raste. Krahasuar me javën e pestë të sezonit të kaluar, kur ishin regjistruar 3.036 raste, numri aktual është më i ulët për 50,7 për qind, ndërsa krahasuar me mesataren e javës së pestë sipas kurbës tipike epidemike të bazuar në 15 sezonet e fundit, ku numri ishte 2.656, është më i ulët për 43,6 për qind. Gjatë javës së pestë të vitit 2026, incidenca e regjistruar mbetet në kuadër të aktivitetit të ulët.

Sa i përket shpërndarjes sipas moshës, 866 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 247 janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 224 janë persona mbi 65 vjeç, ndërsa 161 janë fëmijë të moshës 0 deri në 4 vjeç. Incidenca më e lartë, 166,8 raste për 100.000 banorë, është regjistruar tek fëmijët e moshës 0–4 vjeç.

Numri më i madh i të prekurve është regjistruar në Shkup me 473 raste, pasuar nga Prilepi me 146, Strumica me 139, Ohri me 99, Manastiri me 77, Shtipi me 70, Tetova me 63, Gjevgjelia me 61, Kumanova me 59, Dibra me 43 dhe Velesi me 36 raste. Në Radovish, Kërçovë, Kavadar, Strugë, Gostivar, Resnjë, Negotinë, Sveti Nikollë, Kratovë, Krushevë, Vinicë, Demir Hisar, Probishtip, Koçan, Makedonski Brod, Pehçevë dhe Vallandovë, numri i të sëmurëve është më pak se 30, ndërsa në Berovë, Dellçevë dhe Kriva Pallankë nuk janë raportuar raste të gripit apo sëmundjeve të ngjashme me gripin.

Gjatë sezonit 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin ka arritur në 11.415. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, kur ishin raportuar 8.734 raste, ky numër është rritur për 30,7 për qind, ndërsa krahasuar me mesataren e 15 sezoneve të fundit prej 12.278 rastesh, është regjistruar ulje prej 7 për qind. Gjatë javës së pestë të vitit 2026 vazhdon trendi i rënies së numrit të të sëmurëve dhe incidencës javore, e cila mbetet në kuadër të aktivitetit të ulët. Të dhënat nga mbikëqyrja virologjike tregojnë se ka aktivitet gjeografik rajonal të virusit të gripit, ndërsa përqindja e pozitivitetit është mbi 10 për qind për tetë javë radhazi, çka tregon se gripi në Maqedoninë e Veriut ka intensitet të mesëm. Deri në javën e pestë, në vend janë vaksinuar gjithsej 79.105 persona me vaksinë falas ose komerciale kundër gripit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit