Osmani për “India Today Global”: Gratë në diplomaci sjellin paqe më të shpejtë dhe më të qëndrueshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në një intervistë ekskluzive për “India Today Global”, ka folur për rolin e grave në udhëheqje, diplomacinë e paqes dhe sfidat e përfaqësimit të grave në politikën ndërkombëtare.

Si një nga krerët më të rinj të shteteve në botë dhe një nga gratë e pakta në samitet ndërkombëtare, Osmani theksoi se pjesëmarrja e grave në negociatat e paqes kontribuon në arritjen e marrëveshjeve më të shpejta dhe më afatgjata. Sipas saj, përfshirja e grave sjell qasje më bashkëpunuese dhe perspektiva të reja në zgjidhjen e konflikteve.

Gjatë intervistës, presidentja foli edhe për rrugëtimin e Kosovës nga konflikti drejt pavarësisë, duke vënë në pah rëndësinë e nismës “Board of Peace”, e cila synon forcimin e rolit të grave në proceset e paqes dhe vendimmarrjes globale.

Osmani ndau gjithashtu përvojën e saj personale, duke theksuar sfidat me të cilat përballen gratë në skenën ndërkombëtare, përfshirë rastet kur ato janë të vetmet përfaqësuese femra në tryezat vendimmarrëse. Ajo nënvizoi se rritja e përfaqësimit të grave në politikë është e domosdoshme për demokraci funksionale dhe institucione më të forta.

Në intervistë, presidentja u ndal edhe te çështje të diplomacisë ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen tregtare Indi–Bashkimi Evropian dhe rëndësinë e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së grave për njëra-tjetrën në udhëheqjen globale.

Osmani e cilësoi këtë angazhim si jetik për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë, duke theksuar se përvoja e saj personale nga një fëmijëri e kaluar në kohë lufte deri te përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare – e ka formësuar bindjen e saj për rëndësinë e rolit të grave në politikë dhe diplomaci./KutPlus.com

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit