Eksportet e Japonisë në produkte bujqësore, pyjore dhe të peshkimit u rritën me 12.8% duke arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2025, të nxitura nga dërgesat më të forta drejt Shteteve të Bashkuara pavarësisht tarifave të reja, si dhe nga rikuperimi i eksporteve drejt Kinës pas rënies së vitit të kaluar.
Eksportet totale arritën në 1 mijë e 701 trilion jen (10.9 miliardë dollarë) vitin e kaluar, nga 1 mijë e 507 trilion jen në 2024, duke shënuar vitin e 13-të radhazi me rritje dhe një rekord të ri, njoftoi të martën Ministria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit (MAFF).
“Interesi global në rritje për kuzhinën japoneze, ndërgjegjësimi më i madh për ushqimin japonez mes turistëve dhe vetëdija në rritje për shëndetin po nxisin kërkesën,” tha Kazuyoshi Nakasugi, zëvendësdrejtor i departamentit të politikave të eksportit në MAFF. Ai shtoi se këta faktorë shtynë eksportet drejt shumë vendeve, përfshirë SHBA-të, Tajvanin dhe Korenë e Jugut, në nivele rekord.
Dërgesat drejt SHBA-ve u rritën me 13.7% në 276.2 miliardë jenë, duke e bërë destinacionin më të madh të eksporteve japoneze për vitin e dytë radhazi, falë kërkesës së fortë për çaj jeshil dhe mish viçi pavarësisht tarifave të vendosura në prill.
Eksportet drejt Kinës u rritën me 7.0% në 179.9 miliardë jen, duke u rikuperuar nga një rënie prej 29% në 2024, të ndihmuara nga dërgesat më të larta të peshqve dekorativë koi, birrës dhe druve.
Kina pezulloi importet e të gjithë produkteve të detit japonez pasi kompania Tokyo Electric Power filloi lirimin e ujit radioaktiv të trajtuar nga centrali bërthamor Fukushima Daiichi në gusht 2023, por e zbuti ndalimin në mesin e vitit 2025, megjithëse disa kufizime mbeten.
“Edhe pas lehtësimit, eksportet e produkteve të detit japonez drejt Kinës nuk janë rikuperuar shumë,” tha Nakasugi, citon Reuters.
Qeveria vazhdon të promovojë diversifikimin e destinacioneve të eksportit për produktet e detit duke zhvilluar kanale tregtare në pjesë të tjera të Azisë dhe në SHBA.
Sipas produkteve, mishi i viçit, orizi, çaji jeshil dhe peshku yellowtail shënuan vlera rekord eksporti në 2025. Megjithatë, totali mbeti nën objektivin e Japonisë për 2 trilion jen eksporte ushqimore për vitin 2025.
“Synojmë të arrijmë objektivin prej 5 trilion jenësh deri në vitin 2030 duke diversifikuar destinacionet e eksportit, duke zgjeruar kanalet e shitjes përtej bizneseve të lidhura me Japoninë te shitësit e mëdhenj lokalë dhe restorantet, ndërsa sigurojmë prodhim të mjaftueshëm të ushqimeve me kërkesë të lartë si matcha,” tha Nakasugi.



