Policia e Kosovës njofton qytetarët për sistemin e ri Safe City

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë vënë në funksion sistemin elektronik të monitorimit të komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i Sigurt”, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe zbatimin e ligjit.

Sipas informacioneve zyrtare, sistemi funksionon përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi në Maqedoninë e Veriut.

Në fazën e parë të zbatimit, monitorimi do të realizohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Përmes këtij sistemi do të identifikohen shkelje të ndryshme, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, kalimin në semafor të kuq, ndalimin dhe parkimin e parregullt, si dhe qarkullimin me automjete të paregjistruara.

Autoritetet kanë bërë të ditur se sistemi “Qyteti i Sigurt” do të vlejë edhe për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova. Në rast se një shtetas i huaj kryen shkelje të evidentuar nga sistemi, njoftimi përkatës do të bëhet gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët e huaj, njësoj si shtetasit vendorë, gëzojnë të drejtën e pagesës së 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Në rast mospajtimi me shkeljen apo moskryerjeje të pagesës, autoritetet kompetente do të iniciojnë procedurë kundërvajtëse përpara gjykatave përkatëse.

Ky njoftim u drejtohet të gjithë qytetarëve me qëllim informimi dhe apelon për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të komunikacionit gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit