Dosjet Epstein, emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë

Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

Në një email të vitit 2014, sipërmarrësi japonez Joey Ito përmend mundësinë që Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, t’i bashkohej një takimi me presidentin rus. Megjithatë, pas rrëzimit të avionit Malaysia Airlines MH17 mbi Ukrainë, ideja u braktis. Në email-e të tjera, Epstein i referohet “dokumenteve Putin”, pa sqaruar përmbajtjen e tyre.

Epstein kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar kontaktesh politike dhe financiare. Ai kishte kryer pagesa ndaj figurave politike britanike dhe kishte komunikuar me ish-kryeministrin norvegjez Thorbjørn Jagland lidhur me takime me liderë botërorë, përfshirë Putinin.

Sipas dokumenteve, Epstein kishte pretenduar se mund t’i siguronte Kremlinit informacione komprometuese për Donald Trump, në prag të samitit të Helsinkit në vitin 2018. Në email-e të tjera, ai përshkruan aktivitetet e Robert Maxwell dhe lidhjet e tij me shërbime të huaja inteligjence.

Në korrik 2019, pas arrestimit në New York, avokatët e Epstein i njoftuan FBI-në se ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Tre javë më vonë, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Autoritetet amerikane e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, një përfundim që vijon të ngjallë dyshime dhe debate.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit