Sipas kalendarit islam, Nata e Bekuar e Lejletu-l-Beratit shënohet më 6 mars, duke u konsideruar një nga netët më të rëndësishme në traditën islame. Kjo natë përjetohet nga besimtarët si një paralajmërim për afrimin e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe si një mundësi për pastrim shpirtëror.
Në traditën islame thuhet se në këtë natë shënohen përcaktimet hyjnore për fatin e njerëzve, jetën dhe furnizimin e tyre. Po ashtu, ajo njihet si nata e faljes dhe mëshirës, ku besimtarët i drejtohen Allahut me lutje, pendesë dhe adhurime.
Sipas haditheve të Profetit Muhammed a.s., kjo natë ka vlerë të veçantë, pasi Allahu xh.sh. i fal mëkatet e një numri të madh besimtarësh dhe u përgjigjet lutjeve të atyre që kërkojnë falje dhe udhëzim.
Me këtë rast, besimtarët praktikojnë faljen e namazit nafile, leximin e Kur’anit, dhikrin dhe istigfarin, ndërsa rekomandohet edhe agjërimi i ditës pasuese si shenjë devotshmërie.
Nata e Beratit shërben si një moment reflektimi për jetën shpirtërore dhe morale, duke i nxitur besimtarët të përmirësojnë marrëdhënien me Zotin dhe me njerëzit, si dhe të përgatiten për muajin e bekuar të Ramazanit.



