Kurti përkujton Elfete Humollin në 36-vjetorin e rënies: Simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 36-vjetorin e rënies heroike të dëshmores së kombit, Elfete Humolli, duke e cilësuar atë simbol të qëndresës dhe sakrificës për lirinë e vendit.

Kurti rikujtoi se Elfete Humolli u vra vetëm dy javë pa i mbushur 17 vjet, gjatë demonstratave në Lupç të Poshtëm, kur forcat policore serbe po shtypnin me dhunë protestat e popullit shqiptar. Ajo ishte nxënëse e Shkollës Ekonomike dhe kishte dalë në demonstrata për Republikën e Kosovës, për mbrojtjen e popullit dhe kundër okupimit serb.

Sipas kryeministrit, Elfetja, bashkë me shumë nxënës të tjerë, ishte në ballë të rezistencës qytetare që i parapriu më vonë kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja.

Duke sjellë në vëmendje edhe dimensionin familjar të sakrificës, Kurti theksoi se fjalët e fundit që thuhet se ka shqiptuar Elfetja ishin shqetësimi për vëllain e saj: “Ku është Mentori? A ka shpëtuar?”. Nëntë vjet më pas, më 21 maj 1999, edhe Mentori ra dëshmor në Koshare si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Elfete dhe Mentor Humolli, vëlla e motër, janë simbol i sakrificës dhe flijimit të njerëzve të këtij vendi, të cilët me qëndrueshmërinë e tyre ndodhen në rrënjët e lirisë dhe themelet e shtetit tonë”, u shpreh Kurti.

Ai përfundoi me homazhe për ta dhe për të gjithë të rënët për liri: “Lavdi Elfete Humollit, lavdi Mentor Humollit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.” (INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit