Ramë Dardania rikthehet në Gjenevë me ekspozitën “Les émotions”

Artisti shqiptar Ramë Dardania rikthehet në Gjenevë me ekspozitën e tij më të re, “Les émotions”, e cila do të hapet më 12 shkurt 2026 në ambientet e The House of Art Showroom. Vernisazhi është planifikuar të mbahet nga ora 18:00 deri në 20:00.

Ekspozita paraqitet si një udhëtim i thellë emocional, ku trajtohen tema universale si frika, dhimbja, liria dhe gëzimi. Përmes një gjuhe artistike të drejtpërdrejtë dhe autentike, Dardania sjell përpara publikut përvoja njerëzore që komunikojnë pa filtra, larg klisheve dhe zbukurimeve të panevojshme.

Me një karrierë të pasur që përfshin mbi 40 ekspozita ndërkombëtare, Ramë Dardania është tashmë një emër i konsoliduar në skenën artistike evropiane. Punimet e tij dallohen për ngjyra të fuqishme, figura simbolike dhe një ndjeshmëri të veçantë që krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me shikuesin.

Ekspozita “Les émotions” do të qëndrojë e hapur për publikun nga 12 shkurti deri më 6 mars 2026 në Gjenevë, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë artin si emocion, dhe jo thjesht si formë vizuale./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit