Gazetarja Liridona Veseli dënohet vetëm pse përmendi emrin e gjyqtarit në raportim gjyqësor

Gazetarja Liridona Veseli është dënuar me gjobë prej 700 eurosh për veprën penale “keqpërdorim i të dhënave personale”, vetëm pse në një raportim gazetaresk kishte përmendur emrin e gjyqtarit Nazif Iljazi nga Gjykata Themelore e Tetovës.

Procedura penale ndaj saj u iniciua nga Prokuroria, ndërsa aktgjykimin e shpalli gjyqtarja Magdalena Mishoska nga Gjykata Themelore në Gostivar.

Sipas Veselit, aktgjykimi lidhet me një temë që ajo kishte trajtuar për një rast të rëndë penal, ku një person i rritur kishte shantazhuar një të mitur, i kishte dërguar materiale pornografike dhe i ishte kërcënuar. Në atë lëndë, siç thekson gazetarja, gjyqtari Iljazi kishte shqiptuar dënim prej tre muajsh burg efektiv.

“Jam dënuar vetëm sepse e kam përmendur emrin e gjyqtarit në kontekst të një vendimi gjyqësor për një rast serioz penal. Dënimi është 700 euro për gjoja keqpërdorim të të dhënave personale”, deklaron Veseli.

Në arsyetimin me shkrim të aktgjykimit, gjyqtarja Mishoska thekson se më 28 tetor 2024, gazetarja, pa pëlqimin e gjyqtarit Nazif Iljazi, ka përdorur të dhënat e tij personale – emrin dhe mbiemrin – përmes publikimeve në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok. Sipas gjykatës, kjo i ka shkaktuar dëm nderit dhe reputacionit të tij në veprimtarinë profesionale, të cilën e ushtron prej më shumë se 37 vitesh.

Gjykata ka konstatuar se me këto veprime janë përmbushur elementet thelbësore të veprës penale “keqpërdorim i të dhënave personale”, sipas Kodit Penal.

Nga Prokuroria kemi kërkuar përgjigje se cili prokuror ka dorëzuar propozimin për lëshimin e urdhër-dënimit ndaj gazetares, si dhe përse është ngritur një procedurë e tillë kundër një gazetareje që ka publikuar emrin dhe mbiemrin e një gjyqtari – funksion publik. Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk ka pasur përgjigje.

Aktgjykimi ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik. Një nga reagimet më të forta erdhi nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili e vlerësoi rastin si një tregues serioz të gjendjes së lirisë së shprehjes dhe besimit në sistemin gjyqësor.

Sipas Isenit, dëshmia e Veselit tregon qartë se policia ka qenë plotësisht në dispozicion për mbrojtjen e saj në momentet kur ajo ishte nën presion, por sot po ndodh, siç shprehet ai, “paradoksi më i madh” – që gjyqësori, i cili për vite me radhë ka qenë i politizuar dhe i degraduar, të paraqitet si viktimë.

“Besimi në drejtësi ka rënë në minimum historik, rreth tre për qind, si pasojë direkte e instalimeve politike dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme. Të njëjtët që sot flasin për lirinë e mediave, dje heshtnin, frikësonin dhe shantazhonin zërat kritikë”, shkruan Iseni.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit