Mickoski: Me Erasmus+ të rinjtë kanë qasje në një instrument të fuqishëm financiar evropian që mundëson mobilitet ndërkombëtar, mësim dhe zhvillim profesional

Të nderuar anëtarë të komunitetit akademik dhe të Universitetit prestigjioz „Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup,

E nderuar drejtoreshë e Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit akademik,

Të dashur studentë dhe të rinj,

Të nderuar mysafirë,

Më lejoni që fillimisht të shpreh kënaqësinë time të sinqertë që sot jam këtu me ju, në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup – një institucion i cili me dekada paraqet shtyllë e dijes, mendimit kritik dhe zhvillimit shoqëror të shtetit tonë.

Ngjarja e sotme e organizuar nga Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri – Erasmus+, nuk është vetëm një shpallje formale e prioriteteve programore për vitin 2026. Ajo është një mesazh. Mesazh se po investojmë në dije, te të rinjtë dhe në të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Shteti merr pjesë në programin Erasmus+ si vend programor. Kjo do të thotë qasje e plotë dhe e barabartë në të gjitha aktivitetet dhe mundësitë që ofron programi, njëjtë sikurse vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo nuk është simbolikë, ky është integrim evropian thelbësor dhe praktik përmes arsimit, të rinjve dhe dijes.

Përmes Erasmus+, shteti ynë kontribuon aktivisht në zhvillimin e arsimit, politikave rinore dhe mësimit joformal, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar, dialogun ndërkulturor dhe avancimin e njohurive dhe shkathtësive të të rinjve. Këto janë themelet mbi të cilat ndërtohet një shtet modern, konkurrues dhe demokratik.

Veçanërisht dëshiroj të theksoj se për vitin 2026 është siguruar, siç edhe e dëgjuat, buxheti më i madh në këtë kornizë financiare në vlerë të përgjithshme prej mbi 8 milionë eurosh. Kjo nuk është e rastësishme. Ky është rezultat i një përcaktimi të qartë për të investuar aty ku përfitimi është më i madh, te të rinjtë.

Një nga instrumentet e rëndësishme që prek drejtpërdrejt të rinjtë është Kartela Rinore Evropiane. Ajo u mundëson të rinjve zbritje dhe benifite në 38 shtete evropiane, në fusha si udhëtimi, kultura, arsimi, sporti dhe shërbimet e përditshme. Por edhe më e rëndësishmja – ajo krijon ndjenjën e përkatësisë në një komunitet rinor evropian, ku të rinjtë nga Maqedonia e Veriut janë pjesë e barabartë.

Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri ka një rol veçanërisht të rëndësishëm në krijimin dhe implementimin e Planit të Veprimit të Ligjit për Pjesëmarrjen Rinore. Përmes aktiviteteve të lidhura me programin Erasmus+, Agjencia kontribuon drejtpërdrejt në realizimin e qëllimeve të Ligjit – veçanërisht në pjesën e pjesëmarrjes rinore, informimit dhe përfshirjes aktive të të rinjve në proceset shoqërore.

Implementimi i Ligjit për Pjesëmarrjen Rinore do të thotë mundësi të definuara qartë për të rinjtë:

•    pjesëmarrje në vendimmarrje,
•    qasje në informacione cilësore,
•    mbështetje për zhvillim personal dhe profesional.

Me këtë, të rinjtë nuk shihen vetëm si shfrytëzues të politikave, por si faktorë aktivë në shoqëri.

Përmes programit Erasmus+, të rinjtë dhe punonjësit rinorë nga vendi ynë kanë qasje në një instrument të fuqishëm financiar evropian që mundëson mobilitet ndërkombëtar, mësim dhe zhvillim profesional në fushën e punës rinore. Njëkohësisht, Erasmus+ është një mekanizëm kyç evropian edhe për studentët edhe për universitetet.

Studentët fitojnë mundësinë për të studiuar.

Për universitetet, Erasmus+ do të thotë fuqizim i kapaciteteve institucionale, modernizim i mësimdhënies dhe përfshirje aktive në rrjetet akademike dhe kërkimore evropiane.

Më lejoni t’u referohem edhe prioriteteve kyçe që ndërlidhin programin Erasmus+ dhe politikat nacionale rinore. E para – mbajtja dhe aktivizimi i të rinjve, diçka që për ne është shumë e rëndësishme. Politikat tona kanë një qëllim të qartë, të reduktojnë ikjen e të rinjve dhe të rrisin pjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri.

Erasmus+ kontribuon në këtë përmes mundësive cilësore si brenda vendit ashtu edhe në Evropë, të cilat i motivojnë të rinjtë të zhvillohen, por edhe të kthehen, të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në shtëpi.

E dyta – qytetaria aktive dhe pjesëmarrja demokratike. Programi mbështet kulturën e pjesëmarrjes, përgjegjësisë dhe dialogut. Përmes dialogut rinor, shkëmbimeve dhe aktiviteteve qytetare, ndërtohet një gjeneratë e cila di të marrë pjesë, të pyesë dhe të marrë vendime të përgjegjshme.

E treta – inkluzioni social dhe mundësitë e barabarta. Një nga parimet më të rëndësishme është sigurimi i qasjes në mundësi për të gjithë të rinjtë, veçanërisht për ata me më pak mundësi.

Dhe e katërta – integrimi evropian dhe harmonizimi me politikat e BE-së. Përmes Erasmus+, vlerat evropiane nuk mësohen teorikisht – ato jetohen. Ky është integrimi evropian në vepër, përmes të rinjve, arsimit dhe dijes.

Të nderuar,

Vizioni ynë është i qartë – Maqedonia e Veriut si shtet që investon te të rinjtë, që krijon mundësi dhe që ndërton të ardhme evropiane në shtëpi. Programi Erasmus+ dhe puna e Agjencisë Nacionale janë pjesë kyçe e këtij vizioni.

Jam i bindur se prioritetet programore për vitin 2026 do të jenë edhe një hap para drejt të rinjve më aktivë, institucioneve më të forta dhe një të ardhmeje evropiane më të sigurt për shtetin tonë.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju dëshiroj punë të mbarë dhe inspiruese.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit