Kopshti Zoologjik i Manastirit njofton se ka ngordhur kali hipopotam Berta, që ka lindur para 40 vitesh në Kopshtin Zoologjik të Vjenës, përcjell TV21. Nga Kopshti Zoologjik njoftuan se hipopotami Berta kishte qëndruar në habitatin modern në Manastir për vizitë publike për dhjetë vjet, ndërsa më parë kishte qëndruar në kopshtet zoologjike të Shkupit dhe Beogradit.
“Hipopotami Berta ka pasardhës në kopshtet zoologjike të Vjenës, Beogradit dhe Shkupit. Megjithëse e moshuar, Berta ishte në shëndet të mirë, dhe në periudhën e fundit mori kujdes dhe terapi të vazhdueshme nga veterinari ynë, por fundi natyror për këtë lloj kafshe në këtë moshë ishte i pashmangshëm,” informuan nga Kopshti Zoologjik i Manastirit.
Në Kopshtin Zoologjik të Manastirit ekziston një habitat modern për hipopotamë, dhe për këtë arsye menaxhmenti i institucionit po fillon me sigurimin e një banori të ri.



