Kallëzim penal për ish-kryetarin e Kërçovës – Dëmtim i buxhetit komunal prej 130 mijë eurosh

NJPB Kërçovë ka ngritur kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Komunës së Kërçovës, F.D. (52) nga fshati Sërbicë, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, si dhe kundër katër personave të tjerë për veprën penale “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra e ndëshkueshme”.
Sipas informacioneve zyrtare, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, F.D., në cilësinë e kryetarit të komunës, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, duke lidhur kontrata pune me personat e denoncuar, pa respektuar procedurat ligjore.
Më tej, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e nevojshme, ai u ka lejuar atyre që të mos paraqiten në vendet e punës, ndërkohë që u janë paguar rroga, kompensime dhe kontribute nga buxheti i komunës. Edhe pas skadimit të afatit ligjor, marrëdhënia e punës nuk u është ndërprerë.
Si pasojë e këtyre veprimeve, buxheti i Komunës së Kërçovës është dëmtuar për rreth 130.000 euro, ndërsa të denoncuarit e tjerë kanë përfituar dobi materiale, duke pranuar shuma të ndryshme parash në llogaritë e tyre personale, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se mjetet rrjedhin nga vepra penale.

https://www.facebook.com/share/17qxTBkTm8/

Rasti është dorëzuar për procedurë të mëtejme pranë organeve kompetente.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit