Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në Ndërtesën e Qeverisë nxënësit kosovarë që arritën sukses të jashtëzakonshëm në Olimpiadën e Shkencave NEO, e mbajtur në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nxënësit, nga klasa e III deri në klasën e XII, fituan gjithsej gjashtë medalje të arta, tre të argjendta, shtatë të bronzta, si dhe shtatë vende në kategorinë “Më të mirët e më të mirëve”, në mesin e rreth 300 pjesëmarrësve nga 30 vende të ndryshme të botës. Ata u dalluan në fusha si matematika, shkenca, biologjia, kimia, kodimi dhe inteligjenca artificiale.
Kryeministri Kurti vlerësoi përkushtimin, dijen dhe punën e nxënësve, duke theksuar se sukseset e tyre janë dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm që ka rinia e Kosovës. Ai u shpreh se shteti do të vazhdojë t’i mbështesë talentet e reja në rrugëtimin e tyre arsimor dhe profesional.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit, i cili së bashku me kryeministrin përgëzoi nxënësit dhe mësimdhënësit për rezultatet e arritura.
Gjatë mandatit aktual qeveritar, janë ndarë rreth 800 mijë euro për organizata dhe institucione që identifikojnë dhe mbështesin nxënës me inteligjencë të jashtëzakonshme, si dhe 150 mijë euro shpërblime për fituesit e olimpiadave dhe garave shkencore vendore e ndërkombëtare. Vetëm vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka ndarë 26 mijë euro për mbështetjen e pjesëmarrjes së ekipit të Kosovës në Olimpiadën NEO./KultPlus.com



