Aleanca për Shqiptarët shpreh qëndrimin e saj kritik dhe të shqetësuar ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti i ashtuquajtur “Safe City”, i miratuar nga koalicioni qeverisës VMRO–VLEN–LEVICA dhe që tashmë ka kaluar në Parlament, ndërsa pritet implementimi i tij në praktikë. Zbatimi i këtij ligji ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese, duke dëmtuar drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Së pari, Aleanca për Shqiptarët vëren se në zbatimin e këtij ligji nuk po respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Komunikimi zyrtar me qytetarët, përfshirë njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”, po realizohet pa respektuar të drejtat gjuhësore të qytetarëve shqiptarë. Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të parimeve kushtetuese të një shteti multietnik dhe demokratik.
Së dyti, dënimet e parapara dhe mënyra e zbatimit të tyre janë disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale. Aleanca për Shqiptarët kërkon rishikim të lartësisë së dënimeve dhe të pjesës së tolerancës, në mënyrë që siguria në komunikacion të mos shndërrohet në barrë të rëndë ekonomike për qytetarët. Siguria është e rëndësishme, por ajo nuk duhet të ndërtohet mbi dëmtimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Së treti, zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues. Nëse ky projekt synon rritjen e sigurisë publike, atëherë ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit, dhe jo në mënyrë selektive vetëm në tre qytete.
Për shkak të këtyre shkeljeve serioze ligjore dhe kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët njofton opinionin publik se do ta ankimojë Ligjin për Kundërvajtje në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe barazisë para ligjit.
Aleanca për Shqiptarët



