Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën energjetike. Sipas autoriteteve lokale, mbi 1.700 pallate banimi vazhdojnë të jenë pa ngrohje, në kushte temperaturash nën zero.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko, njoftoi se sulmi masiv i kësaj jave ka lënë mijëra familje pa shërbime bazë, ndërsa ekipet teknike po punojnë pa ndërprerje për rikthimin e furnizimit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ngrohja është rikthyer në mbi 1.600 ndërtesa, ndërsa numri i objekteve pa ngrohje është ulur nga rreth 6.000 në mëngjes në mbi 3.200 në mbrëmje.
Të shtunën, Rusia kreu një tjetër sulm të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë rreth 1.2 milionë objekte pa energji elektrike në mbarë vendin. Shpërthime të forta u dëgjuan gjatë natës në Kiev dhe rajone të tjera.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se objektivat kryesore të Moskës mbeten sektori energjetik, infrastruktura kritike dhe zonat e banuara. Ai bëri të ditur se vetëm këtë javë Rusia ka lëshuar mbi 1.700 dronë sulmues, më shumë se 1.380 bomba ajrore të drejtuara dhe 69 raketa.
Zelensky përsëriti thirrjen për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj Ukrainës, gjatë një vizite zyrtare në Lituani. Ndërkohë, sulmi ndaj Kievit ndodhi në një moment kur përfaqësues të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po zhvillonin bisedime në Abu Dhabi për mundësitë e përfundimit të luftës.



