Trump paralajmëron Kanadanë: Tarifa 100% nëse arrihet marrëveshje me Kinën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave 100 për qind ndaj të gjitha mallrave kanadeze që importohen në SHBA, në rast se Kanadaja arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.

Deklarata u bë përmes një postimi në platformën Truth Social, ku Trump kritikoi ashpër kryeministrin kanadez, Mark Carney, duke theksuar se Uashingtoni nuk do të lejojë që Kanadaja të shërbejë si pikë tranziti për produktet kineze drejt tregut amerikan.

“Nëse kryeministri Carney mendon se mund ta shndërrojë Kanadanë në një pikë transferimi për mallrat kineze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ai bën një gabim të madh,” ka shkruar Trump.

Në të njëjtin postim, presidenti amerikan ka paralajmëruar se Kina mund të ketë ndikime serioze mbi ekonominë dhe strukturën shoqërore të Kanadasë, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj Pekinit.

Trump ka theksuar se, në rast të një marrëveshjeje tregtare mes Kanadasë dhe Kinës, Shtetet e Bashkuara do të reagojnë menjëherë me tarifa 100 për qind për të gjitha produktet kanadeze.

Këto deklarata vijnë në kuadër të politikës së fortë tregtare të Uashingtonit ndaj Kinës dhe përpjekjeve për të penguar thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Pekinit dhe aleatëve të SHBA-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit